Granatat ruse vrasin 8 civilë afër qytetit Kharkiv
Një zyrtar në qytetin Izium, dy orë në juglindje të Kharkivit, ka raportuar se tetë civilë, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë nga sulmet ajrore.
Nënkryetari i bashkisë, Volodymyr Matsokin, tha se qendra e qytetit pësoi dëme të konsiderueshme dhe se disa policë u plagosën, kur u sulmua një ndërtesë qeveritare.
Më herët, Matsokin shkroi në faqen e tij në Facebook se civilët vdiqën kur një predhë goditi banesën e tyre.
India mohon raportet ruse se studentët indianë mbahen peng
Qeveria indiane ka mohuar raportet ruse se studentët indianë mbahen peng në Ukrainë.
Rusia kishte thënë se studentët po përdoreshin nga forcat e armatosura ukrainase si “mburojë njerëzore” dhe po përpiqeshin “në çdo mënyrë t’i pengonin ata të largoheshin për në territorin rus”.
Megjithatë, në një deklaratë të lëshuar të enjten, ministria e jashtme e Indisë tha se nuk ka marrë asnjë ankesë se ndonjë student i Indisë është marrë peng në Ukrainë.
Mijëra studentë indianë besohet se janë ende të bllokuar në Kharkiv.
India ka shtuar përpjekjet për evakuim, por po përballet me pengesa logjistike për të kthyer qytetarët e saj në shtëpi.
Pavarësisht arrestimeve, në Shën Petersburg vazhdojnë protestat kundër luftës
Në qytetin e lindjes të presidentit rus, Vladimir Putin, Shën Petersburg, qytetarët kanë protestuar sërish kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Ashtu si në ditët e mëparshme, ata u përballen me prani të madhe të policisë, të cilët shpërndanë dhunshëm protestuesit dhe arrestuan dhjetëra prej tyre.
Gjatë ditëve të fundit, janë arrestuar qindra protestues.
Vala e re e protestave erdhi pasi kritiku Kremlinit, Alexei Navalny, nga burgu bëri thirrje për mitingje të përditshme kundër sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë.
Shpërthime të mëdha në Kiev
Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në kryeqytetin Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës mbrëmjen e së mërkurës deri në mëngjesin e së enjtes.
Të paktën katër shpërthime të mëdha rreth orës 03:00 me orën lokale ndriçuan qiellin.
Është e paqartë se cilat ishin objektivat e sulmit, apo sa njerëz kanë mbetur të plagosur.
Shpërthimet erdhën disa orë pasi një shpërthim masiv pranë stacionit qendror të trenit të Kievit tronditi qytetin.
Shpërthimet ndodhën shumë afër vendit ku qindra të evakuuar janë strehuar nga bombardimet ruse.