Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
06:25 3.3.2022

Perëndimi “prishi planet e Rusisë për supremaci ajrore”

Ish-gjenerali amerikan, David Petraeus, tha se Rusia do të kishte epërsi absolute ajrore mbi Ukrainën, sikur Perëndimi të mos kishte dërguar më herët armë, furnizime dhe raketa të mbrojtjes ajrore.

“Rusët do të ishin në gjendje të bënin çfarë të donin, por nuk janë, për shkak të këtyre sistemeve”, tha Petraeus për BBC-në.

Ai tha se shumë raporte të verifikuara për avionët e rrëzuar rusë, sugjerojnë se forcat ruse kanë pësuar “humbje shumë të mëdha”.

Perëndimi është duke e ndihmuar Ukrainën me armatim qysh para fillimit të pushtimit rus, më 24 shkurt.

Bashkimi Evropian, për herë të parë në historinë e tij, është duke financuar armatimin e një vendi në konflikt - në këtë rast Ukrainës.

06:48 3.3.2022

SHBA i bën thirrje Putinit që të “ndalojë menjëherë gjakderdhjen”

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin, që “të ndalojë menjëherë gjakderdhjen” dhe të tërheqë trupat nga territori i Ukrainës, në një deklaratë të lëshuar vonë të mërkurën me orën amerikane.

Në deklaratën e saj, SHBA akuzoi gjithashtu Rusinë se ka nisur një “sulm të plotë ndaj lirisë së medias dhe të vërtetës”, duke bllokuar qasjen në mediat e pavarura.

SHBA theksoi gjithashtu “mbytjen” e platformave të mediave sociale nga Rusia si Twitter, Facebook dhe Instagram.

Deklarata vjen pasi Rusia ka intensifikuar sulmet në qytetet kryesore të Ukrainës, duke rezultuar në një numër në rritje të vdekjeve të civilëve.

Si pasojë e këtyre sulmeve, më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Ukraina për të kërkuar strehim diku tjetër.

07:09 3.3.2022

Lexues të nderuar,​ këto janë disa prej zhvillimeve kryesore në Ukrainë në nisjen e ditës së tetë të luftës.

  • Të paktën katër shpërthime kanë ndodhur në orët e para të së enjtes në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.
  • Granatat ruse vranë 8 civilë afër qytetit Kharkiv.
  • Zyra e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për të drejtat e njeriut tha se 227 civilë janë vrarë në pesë ditët e para të pushtimit rus të Ukrainës.
  • Deri në 15,000 njerëz janë të strehuar në stacionet e metrosë së Kievit.
  • Forcat e Armatosura në Suedi njoftuan se të mërkurën katër avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Suedisë.
  • Sistemi bankar SWIFT ka njoftuar se më 12 mars do të përjashtojë nga rrjeti i tij global shtatë banka ruse, në linjë me sanksionet ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
  • Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje.
  • Mijëra shkencëtarë rusë kanë vënë emrat e tyre në një deklaratë si shenjë proteste kundër pushtimit “të padrejtë dhe të pakuptimtë” të Ukrainës.
  • Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i bëri thirrje presidentit rus Vladimir Putin, që “të ndalojë menjëherë gjakderdhjen”.
07:34 3.3.2022

Rusia merr nën kontroll qytetin Herson

Trupat ruse kanë pushtuar qytetin Herson, në jug të Ukrainës, një javë pasi filloi lufta.

Ky qytet ka 290,000 banorë dhe vitin e kaluar mbajti stërvitje luftarake të mbështetura nga NATO.

Pushtimi erdhi pas një rrethimi treditor që e la këtë qytet pa ushqim dhe ilaçe dhe duke u përpjekur për të mbledhur dhe varrosur të vdekurit.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG