Zelensky: Ne i ndaluam ata
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, postoi një video-mesazh të ri për qytetarët mrëbmjen e së mërkurës, duke u kërkuar atyre që të vazhdojnë luftën kundër pushtuesve rusë.
Videoja e postuar në rrjetin social Facebook ka mbishkrimin: “Çdo pushtues duhet ta dijë: do të kundërshtohen ashpër nga ukrainasit”.
“Ne jemi një komb që prishi planet e armikut brenda një jave”, tha presidenti Zelensky.
“Ne i ndaluam ata”, shtoi ai.
Zelensky tha se ushtarakët rusë që janë kapur nga ukrainasit “nuk e dinë pse janë këtu” dhe se ushtarët e armikut “po ikin përsëri në Rusi”.
Ai shtoi se trupat janë “fëmijë të hutuar”, të cilët po “përdoren” nga udhëheqësit e tyre në Moskë.
Zelensky falënderoi gjithashtu civilët në qytetet Konotop, Bashtanka, Energodar dhe Melitopol, të cilët tha se kishin bllokuar rrugët për trupat ruse.
Ai shtoi se së fundmi ka folur me liderët e Norvegjisë, Izraelit, Kazakistanit, Katarit, Kanadasë, Polonisë dhe Këshillit Evropian.
Zelensky gjithashtu nënshkroi një dekret, përmes të cilit i shpalli Heronj të Ukrainës 15 ushtarakë ukrainas, nëntë prej të cilëve kanë vdekur.
Jahti i oligarkut rus sekuestrohet në Gjermani
Një jaht me çmim prej 600 milionë dollarë, me pronar miliarderin rus, Alisher Usmanov, është sekuestruar nga autoritetet gjermane.
Jahti i gjatë 156 metra, i quajtur “Dilbar”, sipas revistës Forbes, u sekuestrua në Hamburg.
Usmanov është një nga 25 oligarkët rusë, që janë sanksionuar nga BE për lidhjet e tyre me qeverinë ruse.
OKB: Një milion njerëz kanë ikur nga Ukraina
Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se një milion refugjatë janë larguar nga Ukraina në vendet fqinje.
Eksodi ka ndodhur në vetëm shtatë ditë, kur edhe filloi pushtimi të enjten e kaluar.
Në një deklaratë në Tëitter, Komisioneri i Lartë i OKB-së për refugjatët, Filippo Grandi, u lut që të ndalet lufta, në mënyrë që të sigurohet ndihma humanitare për miliona njerëz që janë në territorin ukrainas.
OKB ka parashikuar se si pasojë e luftës, rreth 12 milionë njerëz do të zhvendosen dhe do të kenë nevojë për ndihmë.
Shkencëtarët rusë kundër pushtimit të pakuptimtë
Mijëra shkencëtarë rusë kanë vënë emrat e tyre në një deklaratë si shenjë proteste kundër pushtimit “të padrejtë dhe të pakuptimtë” të Ukrainës.
Deklarata u publikua në internet fillimisht në rusisht nga TRV Science.
Kjo deklaratë u nënshkrua nga shkencëtarët kryesorë, duke përfshirë rreth 25 anëtarë të Akademisë së Shkencave Ruse.
Ata thonë se faji për “shpalljen e një lufte të re në Evropë” është “plotësisht i Rusisë”.
“Ne kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të të gjitha operacioneve ushtarake të drejtuara kundër Ukrainës”, thuhet në deklaratë.
Sipas shkencëtarëve, veprimet e Rusisë - dhe sanksionet pasuese me të cilat përballet nga vendet e tjera - nënkuptojnë se Moska “e ka dënuar veten në izolim ndërkombëtar”.
“Kjo do të thotë se ne, shkencëtarët, nuk do të jemi më në gjendje ta bëjmë punën tonë normalisht. Kryerja e kërkimeve shkencore është e paimagjinueshme pa bashkëpunim të plotë me kolegë nga vendet e tjera”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.