Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
01:12 3.3.2022

Pritshmëri të vogla nga bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës

Rusia dhe Ukraina do të diskutojnë për armëpushimin në rundin e dytë të bisedimeve, që do të mbahet më 3 mars.

Palët do të takohen në rajonin perëndimor të Bjellorusisë, Brest, por duket se midis tyre ka pak të përbashkëta.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha për Reuters-in dhe CNN-in se Rusia duhet t’i ndalojë bombardimet e qyteteve ukrainase, përpara se të nisin bisedimet për armëpushim.

Vladimir Medinsky, i cili është ndihmës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha se përveç armëpushimit, do të diskutohet edhe çështja e një korridori humanitar në Ukrainë.

Presidenca ukrainase konfirmoi se delegacioni i saj është “në rrugë” për në vendin e ngjarjes.

Palët u takuan edhe të hënën, por pa ndonjë rezultat.

Planet për rundin e dytë të bisedimeve erdhën pas izolimit gjithnjë e më të madh të Rusisë nga Perëndimi.

Të mërkurën, shumica e vendeve në botë u rreshtuan kundër saj në Kombet e Bashkuara, duke i kërkuar tërheqjen e trupave nga Ukraina.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë jodetyruese, që e dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Ndërkohë, forcat ruse raportohet se janë duke vazhduar bombardimet në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.

01:37 3.3.2022

Shpërthimet godasin Kievin

Të paktën katër shpërthime kanë ndodhur në orët e para të së enjtes në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev.

Dy shpërthime të fuqishme u dëgjuan në qendër të qytetit, pasuar nga dy të tjera pranë një stacioni metroje në Kiev, raporton BBC.

Video e shpërthimeve është shpërndarë në rrjetet sociale.

02:11 3.3.2022

Avionët rusë shkelin hapësirën ajrore të Suedisë

Forcat e Armatosura në Suedi njoftuan se të mërkurën katër avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Suedisë.

Shteti skandinav - i cili nuk është anëtar i NATO-s - mbylli hapësirën ajrore për avionët rusë të hënën, në përputhje me masat e ngjashme nga vendet e tjera evropiane.

Në një deklaratë, ushtria suedeze e dënoi inkursionin e supozuar nga avionët luftarakë rusë si veprim “joprofesional dhe të papërgjegjshëm”.

Sipas kësaj deklarate, incidenti që thuhet se ka ndodhur mbi Detin Baltik, ishte jetëshkurtër.

02:36 3.3.2022

SWIFT konfirmon se më 12 mars do të largojë bankat ruse

Sistemi bankar SWIFT ka njoftuar se më 12 mars do të përjashtojë nga rrjeti i tij global shtatë banka ruse, në linjë me sanksionet ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

“Ne bashkëndjejmë me njerëzit që po vuajnë pasojat tragjike të pushtimit rus”, thuhet në një deklaratë.

Në fillim të kësaj jave, vendet perëndimore ranë dakord të përjashtonin disa banka kryesore nga sistemi ndërkombëtar i pagesave.

SWIFT përdoret nga mijëra institucione financiare në më shumë se 200 vende të botës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG