Pentagoni: Konvoji i trupave ruse drejt Kievit ka bërë pak përparim
Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se trupat ruse kanë bërë pak përparim në 24 deri në 36 orët e fundit.
Në veçanti, konvoji prej 60 kilometrash i gjatë i trupave ruse që janë nisur nga jugu drejt Kievit është ngadalësuar nga luftëtarët ukrainas dhe “ka ngecur”, tha zëdhënësi John Kirby të mërkurën.
“Ne besojmë se rusët po rigrupohen dhe po rivlerësojnë përparimin që nuk e kanë bërë”, u tha ai gazetarëve.
Kirby theksoi se forcat pushtuese në përgjithësi po përballen me më pak rezistencë në jug të vendit sesa në veri.
Ai tha se Pentagoni nuk mund të konfirmonte nëse qyteti jugor Herson ka rënë, teksa rusët kanë pretenduar se e kanë marrë nën kontroll.
Pavarësisht se vrulli i forcave ruse është ngadalësuar, Kirby paralajmëroi se Rusia ka në dispozicion fuqi shtesë që ende nuk i ka përdorur.
Ukraina: Shpërthimi në Kiev u shkaktua nga një raketë e rrëzuar ruse
Një shpërthim në afërsi të stacionit qendror hekurudhor të Kievit është shkaktuar nga mbetjet e një rakete të rrëzuar nga forcat ajrore të Ukrainës, tha një këshilltar i Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.
Anton Herashchenko postoi në Facebook se mbetjet e raketës së rrëzuar goditën një tubacion të ngrohjes, duke shkaktuar shpërthim.
Por, ai tha se nëse raketa do të kishte goditur qendrën e Kievit, numri i viktimave dhe i dëmeve do të kishte qenë i tmerrshëm.
Megjithatë, Herashchenko nuk bëri të ditur nëse nga ky shpërthim ka të lënduar.
Ukraina kërkon ndihmë nga agjencia e OKB-së për uzinat bërthamore
Rregullatori bërthamor i Ukrainës i ka bërë thirrje Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) që t’i ndihmojë në sigurimin e uzinave të saj bërthamore, pasi nisja e pushtimit rus ka rritur shqetësimet për sigurinë e centraleve bërthamore.
Drejtori i përgjithshëm i ANEB-it, Rafael Grossi, tha më 2 mars gjatë një mbledhjeje urgjente të kësaj organizate të Kombeve të Bashkuara, se po punon “me të gjitha palët” për të shikuar sesi uzinat dhe stafi i tyre mund të mbështeten.
“Meqenëse këto konsultime janë duke vazhduar, unë nuk jam në gjendje që të tregojë se çfarë lloji ose kur do të jepet kjo ndihmë”, tha ai në një konferencë për media, duke shtuar se ndihma mund të përfshijë edhe dërgimin e ekspertëve të ANEB-it, megjithëse ky opsion ka pak gjasa të ndodhë në një periudhë të afërt.
“Të kesh qasje në atë që në të vërtetë është një zonë lufte do të ishte diçka jashtëzakonisht delikate”, tha Grossi.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Rreth 45 mijë qytetarë protestuan në Mynih kundër Rusisë
Në Mynih të Gjermanisë të mërkurën protestuan rreth 45 mijë qytetarë kundër sulmit rus në Ukrainë, njoftoi policia.
Në mesin e protestuesve ishte dhe kryeministri i Bavarisë, Markus Söder.
Protestuesit mbanin në duar flamuj të kaltër dhe të verdhë, ngjyra këto që përfaqësojnë Ukrainën dhe pankarta ku shkruhej “lutemi të fitojë paqja” dhe “paqe për të gjithë”.
Edhe në qytetin Tegernsee, jo shumë larg një vile që i përket oligarkut rus, Alisher Usmanov, protestuan rreth 300 qytetarë.
Ata mbanin në duar pankarta “Stop Putin”.