Macron: Rusia e Putinit zgjodhi vetë e zgjodhi luftën në Ukrainë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të mërkurën denoncoi “gënjeshtrat” e përhapura nga Qeveria ruse për të justifikuar luftën në Ukrainë, por ai tha se do të mbetet në kontakt me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe do të tentojë që të arrijë një armëpushim.
Macron fajësoi Kremlinin për luftën.
“Ai ka tradhtuar angazhimet e tij ndërkombëtare një nga një dhe presidenti Putin zgjodhi luftën”, tha Macron gjatë një fjalimi drejtuar kombit.
“Kjo luftë nuk është konflikt midis Perëndimit dhe Rusisë, siç do të donin disa të besonin. Nuk ka asnjë bazë të NATO-s në Ukrainë. Këto janë gënjeshtra. Rusia nuk është sulmuar, Rusia është agresori. Kjo luftë nuk është kundër nazizmit, kjo është gënjeshtër”, tha Macron.
Shpërthim i fuqishëm në afërsi të një stacioni hekurudhor në Kiev
Zyrtarët ukrainas kanë raportuar për një shpërthim të fuqishëm në qendër të Kievit. Vendi ku ka ndodhur shpërthimi gjendet ndërmjet stacionit hekurudhor jugor dhe hotelit Ibis, në zonën pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.
Zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenksy, i tha AP se sulmi ishte kryer me një raketë.
Zyrtarët thanë se ende është e paqartë për dëmin e shkaktuar nga ky sulm me raketa dhe nëse ka viktima.
Stacioni hekurudhor jugor është një prej dy stacioneve që përdoren nga pasagjerët dhe mijëra persona i kanë përdorur stacionet hekurudhore për t’u strehuar pas shpërthimit të luftës më 24 shkurt. Dy stacionet janë të lidhura përmes një korridori që kalon përmes dhjetëra binarëve.
Stacionet gjenden rreth 3 kilometra larg nga Sheshi Maidan, që më 2014 ishte skenë e protestave të mëdha.
Blinken: Mbështesim përpjekjet e Kievit për arritjen e armëpushimit
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin “përpjekjet diplomatike” të Kievit për të arritur një armëpushim dhe tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina.
“Nëse ka hapa diplomatikë që ne mund të ndërmarrim që Qeveria ukrainase beson se do të ndihmojnë, ne jemi të gatshëm t’i ndërmarrim, edhe nëse ne do të vazhdojmë të mbështesim aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten”, tha ai.
Sekretari Blinken po ashtu foli për njoftimin nga Rusia për të vënë në gatishmëri të lartë forcën bërthamore, duke e cilësuar si “provokim” dhe vendim të “papërgjegjshëm” nga presidenti rus, Vladimir Putin.
“Është e rrezikshme. Rrit rrezikun për keqllogaritje dhe kjo duhet të shmanget”, tha ai.
Video: Njoftimi i Putinit për vendosjen në gatishmëri të lartë të forcës bërthamore
Blinken po ashtu bëri të ditur se planifikon të udhëtojë në Evropë për të riafirmuar mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën. Ai do të qëndrojë në Bruksel, në Moldavi dhe në shtetet e Baltikut.
Meshë për Ukrainën në Prishtinë
Në shenjë solidariteti me Ukrainën, qindra qytetarë në Prishtinë më 2 mars morën pjesë në një meshë në Katedralen “Nënë Tereza”. Ata u lutën për paqe dhe dhënie fund të luftës.