Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
18:38 2.3.2022

OKB miraton rezolutë kundër pushtimit rus në​ Ukrainë​

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi të mërkurën një rezolutë për të dënuar Rusinë për nisjen e pushtimit të Ukrainës dhe kërkoi që Moska të ndalte luftimet dhe të tërheqë forcat e saj. Ky vendim ka për qëllim izolimin diplomatik të Rusisë në këtë organizatë ndërkombëtare.

Rezoluta, që u mbështet nga 141 anëtarë nga 193 sa janë gjithsej në OKB, i mbylli punimet e një seance urgjente që u thirr nga Këshilli i Sigurimit, teksa forcat ukrainase po luftojnë në portin e Hersonit dhe po përballen me sulme ajrore.

Në rezolutë dënohet “agresioni i Rusisë kundër Ukrainës”. Herën e fundit që Këshilli i Sigurimit i OKB-së kishte thirrur një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme ishte në vitin 1982, thuhet në ueb-faqen e OKB-së.

Tridhjetepesë anëtarë, përfshirë Kinën abstenuan, ndërkaq Rusia, Siria, Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Eritrea votuan kundër rezolutës.

19:17 2.3.2022

Ukraina dhe Rusia do të bisedojnë për armëpushim

Rusia dhe Ukraina do të bisedojnë për një armëpushim gjatë rundit të dytë të bisedimeve që do të mbahet më 3 mars, tha kryenegociatori i Moskës, teksa forcat ruse kanë vazhduar sulmet e tyre kundër qyteteve ukrainase.

Vladimir Medinsky, që është ndihmës i presidentit rus, Vladimir Putin, tha më 2 mars se përveç armëpushimit, do të diskutohet edhe çështjen e korridorit humanitar në Ukrainë.

Presidenca ukrainase ka konfirmuar se delegacioni i saj ishte “nisur” për në vendin ku do të mbahen bisedimet, pasi Medinsky tha se delegacioni ukrainas veçse është nisur nga Kievi.

Bisedimet pritet të mbahen në rajonin Brest në perëndim të Bjellorusisë.

20:09 2.3.2022

Abramoviq do ta shesë klubin Chelsea

Miliarderi rus, Roman Abramoviq, tha se do ta shesë klubin futbollistik, Chelsea dhe premtoi se do të dhurojë të ardhurat neto për një fondacion bamirësie për “të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë”.

“Këtu përfshihen sigurimi i fondeve kritike për nevojat urgjente dhe të menjëhershme për viktimat, si dhe mbështetje të punës afatgjatë të rimëkëmbjes”, tha ai përmes një deklarate.

Abramoviq, që ka mohuar se ka lidhje të ngushta financiare me presidentin rus, Vladimir Putin, apo me Kremlinin, është përballur me presion ditëve të fundit. Ai tha se shitja e klubit nuk do të bëhet me shpejtësi.

Ai po ashtu tha se nuk do të kërkojë shlyerjen e një huaje prej 1.5 miliard funtesh që i ka dhënë klubit.

Ligjvënësit britanikë kanë bërë thirrje që Abramoviq të vendoset në listë sanksionesh për shkak të lidhjeve të tij me shtetin rus.

Oligarku rus, Roman Abramoviq.
Oligarku rus, Roman Abramoviq.

20:28 2.3.2022

Tubim pro-Putinit në Podgoricë

Të pranishmit në tubimin pro-Putinit në Podgoricë.
Të pranishmit në tubimin pro-Putinit në Podgoricë.

Duke brohoritur “Rusia”, “Putin” dhe duke kënduar për Kosovën “e Serbisë”, qindra anëtarë të organizatave ruso-serbe u mblodhën para Parlamentit të Malit të Zi më 2 mars për t’i dhënë mbështetje Rusisë në pushtimin e Ukrainës.

Në këtë tubim morën pjesë anëtarë të grupeve të afërta me Kishën Ortodokse Serbe, lëvizjet çetnike dhe pjesëtarë malazez të grupit të motoçiklistëve “Ujqërit e natës”, organizatë nga Rusia.

Të pranishmit kishin veshur ngjyrat e Rusisë dhe Serbisë dhe në këtë ngjarje u panë edhe flamuj të Perandorisë Ruse si dhe flamuri çetnik me mbishkrimin “Liri ose vdekje”.

Në pano po ashtu shkruhej “serbët në Mal të Zi, rusët në Ukrainë” dhe “Lutuni Zotit, mbështetuni te Rusia”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG