BE-ja sanksionon ushtarakë bjellorusë për pushtimin e Ukrainës
Bashkimi Evropian të enjten vendosi sanksione ndaj 22 zyrtarëve të ushtrisë bjelloruse për shkak të rolit të Minskut në ndihmën e Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
Gjashtë gjeneralë dhe 16 kolonelë i janë shtuar listës së zezë të BE-së për shkak se “Bjellorusia po merr pjesë në pushtimin e paprovokuar rus kundër Ukrainës, duke lejuar agresion ushtarak nga territori i saj”, thuhet në dokumentin e sanksioneve, raporton AFP.
Personave të sanksionuar po ashtu do t’iu ndalohet udhëtimi në bllok dhe asetet e tyre do t’iu ngrihen.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në mëngjesin e 24 shkurtit, duke përdorur territorin bjellorus për të dërguar trupa në Ukrainë.
Pritet të mbahet rundi i dytë i bisedimeve Ukrainë-Rusi
Rundi i dytë i bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë ukrainase dhe ruse duket se do të ndodhë.
Dy palët u takuan të hënën, por takimi përfundoi pa rezultate.
Një delegacion rus raportohet se është nisur për bisedime, sipas agjencisë bjelloruse të lajmeve Belta.
Kjo agjenci nuk tregoi se kur apo ku do të mbahen bisedimet.
Më herët, agjencia shtetërore e lajmeve ruse Tass raportoi se zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia kishte gati një delegacion për të vazhduar bisedimet.
Ndërkaq, këshilltar i Presidencës ukrainase, Olexiy Arestovych, tha më herët për Suspilne TV se bisedimet do të mbahen.
Por, ai shtoi se “mendoj se gjërat do të mbesin njësoj. Asgjë nuk do të ndryshojë. Ne do të mbajmë qëndrimin tonë”.
Në rundin e parë të bisedimeve, që u zhvilluan në Bjellorusi, Ukraina kërkoi armëpushim dhe tërheqjen e ushtrisë ruse.
Video: Rundi i parë i bisedimeve Ukrainë-Rusi më 28 shkurt
Ushtarët “e uritur” rusë plaçkitin dyqane në Ukrainë
Ushtarët rusë janë parë duke plaçkitur dyqane dhe banka, në disa qytete ukrainase. Pamjet nga kamerat e sigurisë, të publikuara në mediat sociale, kanë shfaqur trupat e Rusisë duke vjedhur ushqim dhe duke u përpjekur për të vjedhur një kasafortë. Zyrtarët ukrainas thonë se ushtarëve pushtues rusë po iu mbarojnë furnizimet me karburante, dhe se ata janë dërguar në Ukrainë me shujta për vetëm tri ditë, ndonëse një pohim i tillë nuk ka qenë e mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Moska: Afër 500 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë
Ministria e Mbrojtjes së Rusisë për herë të parë ka dhënë shifrat për ushtarët e vrarë gjatë pushtimit të saj të Ukrainës.
Ky institucion tha se 498 ushtarë rusë dhe 1,597 janë plagosur deri më tani, raportuan mediat ruse.
Shifra e prezantuar nga Rusia është shumë më e ulët sesa ajo që ka prezantuar Ukraina. Kievi pretendon se ka vrarë 5,840 forca ruse.