Raportohet se Rusia mund të shpallë gjendje lufte
Këshilltari i presidencës ukrainase, Mykhailo Podoliyak ka thënë se më 4 mars, të dyja dhomat e Parlamentit rus do të mbajnë takime të jashtëzakonshme.
“Si e mora vesh, në agjendë është miratimi i gjendjes së luftës, si masë parandaluese”.
Në një postim në Twitter, ai ka thënë se nëse miratohet, gjendje e re mundëson ndalesë totale në marshe, shkëputje nga bota e jashtme dhe kufizime financiare.
Rusia nuk ka bërë të ditur ende diçka të tillë.
Tre shtetas të Kosovës largohen nga Ukraina
Ambasada e Kosovës në Republikën Çeke, e cila mbulon edhe territorin e Ukrainës, ka njoftuar se tre shtetas të Kosovës janë larguar nga Ukraina, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë.
Ata është thënë se kanë qenë në Ukrainë për periudhë afatshkurtër për qëllime pune apo biznesi.
Qëndresa Fazliu, zyrtare për komunikim në Ministrinë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka thënë se në total, autoritetet kosovare kanë arritur të kontaktojnë me shtatë kosovarë në Ukrainë.
Katër personat tjerë – një familje katëranëtarëshe – është thënë të jetë në rrugë e sipër për të kaluar në Hungari.
BE përjashton shtatë banka ruse nga sistemi SWIFT
Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT.
Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB, sipas një deklarate të bllokut evropian.
“Me shpejtësi të dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë të sanksioneve të ashpra kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të teknologjisë së lartë dhe elitës së korruptuar”, ka thënë shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen përmes një komunikate.
“Kjo është paketa më e madhe me sanksione në historinë e Bashkimit Evropian. Vendimi i sotëm shkëput bankat kyçe ruse nga rrjeti SWIFT dhe dërgon një tjetër sinjal të qartë për Putinin dhe Kremlinin”.
Në listë nuk janë përmendur bankat e mëdha ruse, Sberbank dhe Gazprombank, të cilat kanë qasje në SWIFT për t’ua mundësuar shteteve të BE-së të kryejnë pagesa për naftën dhe gazin rus.
Mirëpo një zyrtar i lartë i BE-së ka thënë se lista do të jetë “vazhdimisht nën shqyrtim”.
Sot në Ukrainë po zhvillohet dita e shtatë e luftës
Ndër zhvillimet kyçe janë këto:
- Raportohet për luftime intensive në veri, lindje dhe jug të shtetit. Qyetet Harkiv dhe Herson janë më të shënjestruara nga artileria ruse
- Një raketë ka goditur selinë e policisë dhe ndërtesën universitare në Harkiv këtë mëngjes. Katër persona është raportuar të kenë vdekur
- Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e Harkivit, por autoritetet lokale pretendojnë se qyteti është ende nën kontrollin ukrainas
- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë se po tenton të zhdukë historinë ukrainase dhe ka lavdëruar rezistencën e ushtrisë ukrainase
- Bashkimi Evropian ka larguar shtatë banka ruse nga sistemi global, SWIFT. Në mesin e tyre janë: VTB Bank, Bank Otkritie, Novikombank, Promsvyazbank, Rossiya Bank, Sovcombank and VEB
- Kryeministri britanik, Boris Johnson, është zotuar se Mbretëria e Bashkuar do të rrisë presionin ekonomik ndaj Rusisë dhe do të mbështesë Ukrainën me armë dhe ndihmë humanitare
- Rreth 700,000 persona kanë ikur nga Ukraina. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për më shumë furnizime
- Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur dukshëm prej shpërthimit të luftës
- Atletët rusë dhe ata bjellorusë do të lejohen të garojnë në Lojërat Paralimpike në Pekin, mirëpo vetëm si neutralë