Ukrainasit ndahen mes lotësh në stacionin e trenave në Kiev
Në stacionin kryesor të trenave në Kiev u panë ndarje emocionale të njerëzve, teksa më shumë persona u larguan mes lotësh nga kryeqyteti i Ukrainës, pasi Rusia paralajmëroi banorët më 1 mars se do të fillonte të godiste objektiva, ndërsa një kolonë e gjatë e automjeteve ushtarake ruse po i afrohej qytetit.
“Putini nuk është Rusi” – Navalny bën thirrje për protesta ditore
Lideri i burgosur opozitar i Rusisë, Aleksei Navalny ka bërë thirrje për protesta ditore pas vendimit të Moskës për të pushtuar Ukrainën, duke thënë se Rusia nuk mund të bëhet “komb i njerëzve të frikësuar dhe të heshtur”.
Në një postim të gjatë në Twitter, kritiku i Kremlinit e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin “car të çmendur” për nisje të luftës në Ukrainë, duke ua kujtuar rusëve mantrën e epokës sovjetike të “luftës për paqe”.
“Të mos bëhemi komb i frikësuar dhe i heshtur, komb që pretendon se nuk po e vëren luftën agresive të nisur kundër Ukrainës nga cari i çmendur”, ka thënë Navalny.
“Putini nuk është Rusi”.
Navlany, kritiku më i ashpër i Putinit, është burgosur më 2021 pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas helmimit gati fatal me agjent nervor.
Ai ka fajësuar Putinin për tentim-vrasje, pretendim që Kremlini e ka hedhur poshtë vazhdimisht.
Protestat sporadike janë parë nëpër Rusi prej kur Moska ka nisur pushtimin, por policia ka shtypur këto organizime.
Sipas faqes, OVD-Info, organizatë joqeveritare që vëzhgon arrestimet nëpër Rusi, 6,835 persona janë ndalur deri më tani në protestat kundër luftës.
“Ne duhet të tejkalojmë frikën, të dalim dhe të kërkojmë dhënien fund të luftës… secili person i arrestuar duhet të zëvendësohet me dy të rinj”, ka shkruar Navalny.
“Gjithçka ka çmim dhe tani, në pranverën e vitit 2022, ne duhet të paguajmë këtë çmim. Askush tjetër. Të mos bëhemi ‘kundër luftës’. Të luftojmë kundër luftës”, ka shtuar mes tjerash ai.
BE sanksionon Bjellorusinë për ndihmën e ofruar ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian ka miratuar sanksione të reja kundër Bjellorusisë për ndihmën e këtij shteti ndaj Rusisë në pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.
Franca, kryesuesja aktuale e presidencës së Bashkimit Evropian, ka thënë më 2 mars se sanksionet shënjestrojnë individë në Bjellorusi që janë duke luajtur rol në ofrimin e ndihmës për sulme ndaj Ukrainës, si dhe “disa sektorë, në veçanti, drurin, çelikun dhe kaliumin”.
Deklarata e Bidenit për Putnin
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka mbajtur një fjalim para kombit dhe lufta ruse në Ukrainë ka qenë ndër temat e para për të cilat është deklaruar.
Shikojeni se çfarë ka thënë për presidentin rus, Vladimir Putin.