Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
12:30 2.3.2022

Gjermania regjistron mbi 5,300 refugjatë nga Ukraina

Një total prej 5,309 personave kanë hyrë në Gjermani nga Ukraina, sipas Policisë Federale gjermane.

“Por siç e dini, nuk ka kontrolle kufitare, të paktën jo kontrolle të rregullta, vetëm rastësore. Prandaj ka mundësi që më shumë njerëz kanë hyrë tashmë në Gjermani”, ka thënë një zyrtar i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë.

12:44 2.3.2022

Rusia shprehet e gatshme për të negociuar me Ukrainën

Rusia ka thënë se është e gatshme për të negociuar me Ukrainën më 2 mars.

“Këtë pasdite, pasdite vonë, delegacioni ynë do të jetë duke pritur për negociatorët ukrainas”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë së lajmeve, Interfax.

“Delegacioni ynë do të jetë i gatshtëm të vazhdojë bisedimet këtë mbrëmje”.

Peskov nuk ka përmendur vendin e takimit.

“Nuk dua ta bëj këtë paraprakisht”.

Pas rundit të parë të negociatave të hënën, të dyja palët kanë përmendur kufirin bjelloruso-polak si vend për negociata.

Delegacioni rus do të drejtohet sërish nga ish-ministri i Kulturës, Vladimir Medinsky.

Rundi i parë i takimeve ka përfunduar pa arritur pajtueshmëri.

Peskov e ka bërë të qartë se Rusia insiston në kërkesat e presidentit rus, Vladimir Putin.

Në mesin e tyre janë edhe kërkesat që Qeveria në Kiev të njohë “republikat popullore” të Donjeckut dhe Luhanskut, si dhe sovranitetin e Rusisë në Gadishullin e Krimesë.

Rusia kërkon edhe “çmilitarizimin” e Ukrainës.

13:03 2.3.2022

Kryetari i Kievit: Është koha të përgatitemi për rezistencë

Kryetari i Kievit, Vitaliy Klitschko, është duke paralajmëruar banorët e kryeqytetit se forcat ruse janë duke lëvizur drejt qytetit dhe u ka bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë brenda dhe të përgatiten për të mbrojtur qytetin.

“Armiku po mbledh forcat afër e më afër”, ka thënë Klitschko, duke shtuar se ka luftime në afërsi të Kievit.

“Ne jemi të përgatitur dhe do ta mbrojmë Kievin. U bëj thirrje banorëve të Kievit që të mos humbin guximin”.

Deri më tani, Kievi u ka rezistuar përpjekjeve për pushtim rus.

Një konvoj i armatosur – 65 kilometra i gjatë – është duke iu afruar qytetit nga veriu.

Analistët besojnë se konvoji mund të shërbejë si ndihmë për një tentim pushtimi nga perëndimi.

13:14 2.3.2022

Rusët duhet të garojnë si neutralë në Lojërat Paralimpike

Atletët paralimpikë nga Rusia dhe Bjellorusia duhet të garojnë si neutralë në Lojërat Paralimpike Dimërore, që do të mbahen në Pekin.

Në një deklaratë të Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik, është thënë se atletët – që tashmë kanë arritur në Kinë – do të garojnë me flamurin paralimpik.

Ata nuk do të përfshihen në tabelën e medaljeve”, ka thënë Komiteti.

Në deklaratë është thënë se Komiteti ka marrë “veprimet më të ashpra” brenda parametrave që i lejohet.

Lojërat Paralimpike hapen të premten, ndërsa garat nisin të shtunën.

Ekipi paralimpik i Ukrainës ka arritur në Pekin dhe do të garojë më pak se një javë pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka marrë vendim për të pushtuar Ukrainën.

Në ditët e fundit, një mori institucionesh sportive kanë marrë masa për të përjashtuar atletët rusë nga garat, ndalimin e përdorimit të flamurit rus, apo edhe anulimin e garave në Rusi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG