Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
09:45 2.3.2022

Pse është i rëndësishëm Hersoni për Rusinë?

Ministria ruse e Mbrojtjes po pretendon se ka marrë kontrollin e Hersonit.

Ky qytet ka 300,000 banorë.

Nëse këto pretendime vërtetohen, Hersoni do të bëhet qyteti më madh ukrainas në duart e rusëve.

Hersoni është i rëndësishëm për portin që ka në Detin e Zi dhe njihet si qendër industriale.

Kontrollimi i Hersonit nënkupton kontrollimin e një burimi të madh të ujit po ashtu.

Ukraina ka vendosur digë në kanalin e Krimesë Veriore, pasi Rusia ka pushtuar Gadishullin e Krimesë më 2014.

Prej atëherë pjesa më e madhe e ujit të freskët është bllokuar në drejtim të Krimesë, duke shkaktuar probleme me furnizim në rajonin e aneksuar.

Një nga shënjestrat e para të ushtrisë ruse ka qenë zhbllokimi i digës dhe rikthimi i furnizimeve në Krime.

Pajisjet ushtarake ruse kanë hyrë në qendër të Hersonit natën e kaluar.

Kryetari i qytetit, Igor Kolyikhayev, ka thënë të mërkurën se qytetit i duhet një mrekulli.

10:07 2.3.2022

Ministri britanik: Pushtimi i Ukrainës do të jetë “shumë i vështirë” për Rusinë

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se Rusia përballet me “sfidë të madhe” për të hyrë në qytetet kryesore ukrainase, pasi forcat e armatosura dhe civilët pritet të luftojnë armikun me të gjitha mjetet e mundshme.

Ai ka thënë se është pjesë e doktrinës ushtarake ruse që të rrethojë qendrat urbane të qyteteve dhe të bombardojë “pa bërë dallim” derisa të mbetet një pjesë e vogël e popullsisë nga e cila mund të marrë atë që ka mbetur.

Mirëpo ai ka thënë se madhësia gjeografike e Ukrainës dhe popullsia prej 44 milionë banorëve, do ta bënte pushtimin nga Rusia “shumë të vështirë”.

“Pushtimi i një shteti me forcë dërrmuese është një gjë dhe pushtimi i një populli me 44 milionë banorë që nuk të do, është diçka krejt tjetër”.

Ai ka thënë për transmetuesin britanik, BBC se nuk është në favor që NATO-ja të marrë vendim për ndalim të fluturimeve, duke thënë se çfarëdo shkelje e vendimit prej anës së Rusisë, “mund të çojë në luftë përreth Evropës”.

10:23 2.3.2022

Ukraina pretendon se ka vrarë 5,840 trupa ruse

Përveç raportimeve se 5,840 trupa ruse janë vrarë, autoritetet ukrainase kanë thënë se janë shkatërruar edhe 30 aeroplanë, 31 helikopterë, mbi 200 tanke, mbi 800 makina të armatosura patrulluese, 85 sisteme të artilerisë, mbi 350 makina dhe 40 pajisje MLRS për lansim të raketave.

Forcat e armatosura ukrainase kanë thënë se të dhënat preliminare përfaqësojnë të gjitha humbjet e forcave ruse prej nisjes së pushtimit.

Radio Evropa e Lirë nuk i ka konfirmuar ato.

10:44 2.3.2022

Spanja ndihmon Ukrainën me armë

Spanja do të furnizojë Ukrainën me “armë sulmi”, ka thënë të mërkurën kryeministri i këtij shteti, Pedro Sanchez para Parlamentit.

“Dua t’ju njoftoj se Spanja do të ofrojë po ashtu ndihmë ushtarake për rezistencën ukrainase”, ka thënë Sanchez para deputetëve.

Deri më tani Spanja ka ofruar ndihmë vetëm në kuadër të pakos së Bashkimit Evropian, i cili është pajtuar për të ndarë 450 milionë euro për të blerë armë për Ukrainën.

Sanchez ka thënë se vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin për të pushtuar Ukrainën është “përpjekje brutale për të ndalur ndërtimin e Evropës mbi baza dhe vlera të kundërta prej asaj që përfaqëson autoritarizmi”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG