Edhe SHBA mbyll hapësirën ajrore për Rusinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se administrata e tij ka marrë vendim për të mbyllur hapësirën ajrore të SHBA-së për të gjitha fluturimet ruse.
Veprimi pason masa të ngjashme, të ndërmarra nga vendet evropiane dhe Kanadaja, në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës.
Duke folur para Kongresit amerikan për gjendjen në vend, Biden tha se ndalesa do ta izolojë edhe më shumë Rusinë dhe do ta rëndojë edhe më shumë ekonominë e saj.
Rubla ruse ka humbur 30% të vlerës së saj, tha Biden.
Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra kundër Rusisë për ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë.
Sanksionet përfshijnë edhe përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi bankar global SWIFT.
“Ekonomia e Rusisë po lëkundet dhe fajin e ka vetëm [presidenti rus, Vladimir] Putin”, tha Biden.
- Për më shumë nga fjalimi i Bidenit lexoni këtu.
Putin ka urdhëruar forcat e tij të sulmojnë Ukrainën mëngjesin e 24 shkurtit.
Pushtimi ka nisur pasi Moska nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet drejt lindjes.
Bjellorusia dyfishon trupat në kufi me Ukrainën
Bjellorusia do të dyfishojë numrin e trupave të saj në kufirin jugor me Ukrainën, tha udhëheqësi i këtij vendi, Alexander Lukashenka.
Grupet e batalioneve taktike në kufi do të rriten nga pesë në dhjetë gjatë dy ditëve të ardhshme, tha ai.
Sipas tij, këto janë grupe mobile, të trajnuara mirë dhe të gatshme “për të ndaluar çdo provokim dhe çdo veprim ushtarak kundër Bjellorusisë”.
Duke folur para Këshillit të tij të Sigurisë, Lukashenka e cilësoi mobilizimin si “veprim parandalues”.
Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë, për shkak të mbështetjes së Rusisë në pushtimin e Ukrainës.
Bjellorusia thuhet se i ka mbështetur trupat ruse me forcat e veta.
Nike pezullon shitjet në Rusi
Zinxhiri amerikan i veshjeve sportive, Nike, pezulloi shitjet në Rusi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Blerësit online në Rusi zbuluan se Nike i ka bërë produktet e saj të padisponueshme në ueb-faqe ose aplikacion.
Nike konfirmoi në faqen e saj në internet se dërgesat në Rusi nuk mund të bëhen.
Anëtarja e Parlamentit ukrainas, Lesia Vasylenko, shkroi në Twitter se kufizimet e reja nga Nike, si dhe nga Apple dhe Amazon, “janë shembuj të shkëlqyer se si kompanitë private mund të vendosin sanksione kundër” Rusisë.
Ushtria ukrainase: Rusët sulmuan një spital në Harkiv
Ushtria e Ukrainës konfirmoi raportet se parashutistët rusë kanë zbritur në Harkiv, në përpjekje për të marrë qytetin e rrethuar.
Sipas ushtrisë ukrainase, sulmi ajror nisi kur nisën edhe sirenat në qytet dhe rajonet përreth.
Ushtria tha se trupat ruse sulmuan një spital ushtarak rajonal dhe se luftimet po vazhdojnë.
Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, ka qenë epiqendër e pjesës më të madhe të dhunës, që ka ndodhur ditëve të fundit.
Së paku 17 njerëz u vranë të martën nga sulmet atje.