Biden nis fjalimin mbi gjendjen në vend
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nisi fjalimin e tij në Kongres për gjendjen në vend.
Pasi u prezantua nga kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, Biden tha:
“Vitin e kaluar, COVID-19 na ka mbajtur larg. Këtë vit, më në fund, jemi sërish bashkë”.
Lufta në Ukrainë pritet të dominojë fjalimin e tij.
Biden: Perëndimi qëndron përkrah Ukrainës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kritikoi fuqishëm homologun rus, Vladimir Putin, për, siç tha, “sulmin e paramenduar dhe të paprovokuar” kundër Ukrainës.
Biden mbajti të martën mbrëma fjalimin e parë mbi gjendjen në vend. E pranishme në Kongres ishte edhe ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova.
“Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putin i Rusisë u përpoq t’i tundte themelet e botës së lirë, duke menduar se mund ta bëjë atë të përkulet përpara mënyrave të tij kërcënuese. Por, ai llogariti keq”, tha Biden, duke e përshkruar popullin ukrainas si “një mur force”, të cilin, siç tha, Putin “nuk e ka imagjinuar kurrë”.
Biden lavdëroi homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe qytetarët ukrainas për, siç tha, “guximin dhe vendosmërinë”, që kanë frymëzuar botën.
Ai tha se SHBA-ja dhe NATO-ja kanë treguar se Perëndimi qëndron përkrah Ukrainës.
Ai tha se historia ka treguar se “kur diktatorët nuk paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos”.
Për më shumë lexoni këtu.
Qyteti Herson bie në duart e trupave ruse
Qyteti jugor i Ukrainës Herson raportohet të ketë rënë në duart e trupave ruse.
Kryetari i bashkisë kërkoi ndihmë nga qeveria kombëtare dhe agjencitë e ndihmës, për të siguruar shpërndarjen e furnizimeve, duke përfshirë ushqimin dhe ilaçet, si dhe evakuimin e të plagosurve.
Një anëtar i këshillit lokal tha për BBC-në se 200 njerëz janë vrarë - shumë prej tyre civilë.
Herson është i populluar nga një çerek milioni njerëz.
Ai shtrihet në veri të Gadishullit të Krimesë, i cili është aneksuar nga Moska në vitin 2014.
Si është situata në Kiev dhe Harkiv?
Rreth 25 kilometra në veriperëndim të Kievit, kolona e gjatë e automjeteve ruse vazhdon të ecë drejt kryeqytetit ukrainas.
Gjatë ditës së martë, kulla më e madhe televizive e qytetit është goditur me raketa. Së paku pesë persona kanë humbur jetën.
Në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, dëshmitarët thonë se forcat ruse kanë intensifikuar sulmet e artilerisë.
Të martën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet me raketa në sheshin kryesor të këtij qyteti janë “terror i pastër”.
“Askush nuk do të falë. Askush nuk do të harrojë. Ky sulm në Harkiv është krim lufte”, ka thënë ai.
Sipas zyrtarëve, së paku 11 persona kanë vdekur në Harkiv dhe dhjetëra janë plagosur.