Zelensky: Sulmi në Harkiv është krim lufte
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka përshkruar si krim lufte bombardimin e Harkivit, si pasojë e të cilit kanë vdekur dhjetëra persona.
Nëntë njerëz, përfshirë tre fëmijë janë vrarë të hënën pasi bombat ruse kanë shënjestruar ndërtesa të banimit në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.
Në disa komente të bëra pas sulmeve të fundit në Harkiv, Zelensky ka thënë se dëshmitarët kanë treguar që edhe civilët janë shënjestruar.
“Forcat ruse kanë qëlluar britalisht Harkivin nga aeroplanët”, ka thënë Zelensky në mbrëmje, në një adresim para popullit ukrainas.
“Ky është krim lufte. Qyteti paqësor. Zona paqësore të banimit. Pa objekte ushtarake. Dhjetëra incizime të dëshmitarëve dëshmojnë se kjo nuk është vetëm breshëri e vetme, por shkatërrim i njerëzve. Rusët e kanë ditur kë kanë qëlluar”.
Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, ka nisur hetime për pushtimin rus.
Ai ka thënë se beson që ka bazë të mjaftueshme për të besuar se në Ukrainë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ukraina pretendon se 5,700 trupa ruse janë vrarë
Zyrtarë ushtarakë rusë kanë pretenduar se 5,710 trupa ruse janë vrarë në pesë ditët e para të luftimeve në Ukrainë.
Në një video-mesazh të publikuar në Facebook, një zëdhënës i shtabit të përgjithshëm ka thënë se mbi 200 ushtarë rusë janë zënë nga forcat ukrainase.
Ky zyrtar ka pretenduar se janë shkatërruar 198 tanke ruse, 29 aeroplanë, 846 makina të armatosura dhe 29 helikopterë.
Radio Evropa e Lirë nuk ka konfirmuar këto të dhëna.
Mbretëria e Bashkuar ka thënë se beson që forcat ruse janë duke u përballur me humbje të mëdha gjatë pushtimit.
Të dielën, zyrtarët në Moskë janë detyruar të pranojnë se disa ushtarë kanë vdekur, pas disa ditëve që kanë pretenduar se asnjë ushtar rus nuk ka vdekur.
Raketat godasin fuqishëm Harkivin
Mediat po raportojnë për shpërthime të fuqishme në Harkiv, qytet i rëndësishëm për ukrainasit.
Ky është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, dhe kryeqyteti i parë i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrainës, që ishte krijuar nga bolshevikët.
Në këtë qytet ka industri tejet të rëndësishme për Ukrainën, duke përfshirë fabrikën e tankeve, si dhe shumë kompani të teknologjisë informative.
Në këtë mëngjes, raketat kanë goditur Sheshin Liria, afër të cilit gjenden zyrat e administratës rajonale.
Duke folur pas sulmit, udhëheqësi i administratës rajonale, Oleh Synehubov, e ka përshkruar situatën si “krim të pabesë lufte”.
OKB: Më shumë se 660,000 refugjatë ikin nga Ukraina
Më shumë se 660,000 refugjatë i kanë ikur luftës në Ukrainë për të kërkuar strehim në shtetet fqinje, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.
“Ne kemi tani 660,000 refugjatë që kanë ikur në shtetet fqinje të Ukrainës në gjashtë ditët e fundit”, ka thënë zëdhënësja, Shabia Mantoo para gazetarëve në Gjenevë.
“Numrat janë duke u rritur shpejt. Në këtë shkallë, situata mund të kthehet në krizën më të madhe të refugjatëve në Evropë këtë shekull”.