Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
08:12 1.3.2022

Çfarë duhet të dini nëse na jeni bashkuar tani:

  • Nata e kaluar ka qenë e përgjakshme në Ukrainë teksa Rusia vazhdon pushtimin
  • Të paktën 70 ushtarë ukrainas janë vrarë në sulmet ruse, kanë thënë zyrtarët ukrainas. Punëtorë të emergjencës janë duke tentuar të gjejnë ndonjë të mbijetuar nën rrënoja
  • Ushtria ruse është nisur drejt Kievit. Pamjet satelitore shfaqin një konvoj të armatosur që është 65 kilometra i gjatë
  • Qendra rajonale e Kersonit tani është rrethuar nga trupat ruse, kanë raportuar disa media, duke thënë se ushtarët dhe pajisjet ushtarake gjenden “në të gjitha anët”.
  • Dhjetëra civilë janë vrarë të hënën në sulmet ruse me raketa në qytetin e dytë më të madh ukrainas, Harkiv
  • Qeveria e Ukrainës ka thënë se planifikon të shesë bono të luftës për të paguar forcat e armatosura

08:25 1.3.2022

A ka ndryshuar Putini?

Analistë e diplomatë flasin për qëndrimet e presidentit rus, Vladimir Putin ndër vite.

Për disa, Putin së fundi duket se ka dalë nga sfera e realitetit dhe shihet i shfrenuar.

Lexojeni materialin për të kuptuar më shumë.

08:38 1.3.2022

Sulmet ruse godasin qendrën e Harkivit

Qendra e Harkivit është goditur nga raketat ruse.

Në mëngjesin e së martës është thënë të jenë shënjestruar zyrat qeveritare në Sheshin Liria në qendër të qytetit.

Në disa pamje në rrjetet sociale shihet sesi raketat godasin ndërtesën e administratës rajonale.

Ende nuk është raportuar për viktima.

Harkivi është përballur me sulme të mëdha dhe goditje me raketa në ditët e fundit.

Ai është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, i cili ka 1.6 milion banorë.

08:52 1.3.2022

Erdogan diskuton me Lukashenkan për luftën në Ukrainë

Zyra e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ai ka diskutuar pushtimin rus në Ukrainë me liderin bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili njihet si aleat i afërt i Moskës.

Në bisedën telefonike të 1 marsit, diskutimet janë fokusuar në negociatat për armëpushim, të cilat janë mbajtur mes zyrtarëve ukrainas dhe atyre rusë të hënën, 28 shkurt.

Ndonëse në bisedime nuk është arritur marrëveshje, negociatorët kanë thënë se takime të reja do të zhvillohen në ditët në vijim.

Erdogan ka thënë më një ditë më parë se Turqia, si vend anëtar i NATO-s, do të vazhdojë të luajë rol në dhënien fund të luftës që ka hyrë në ditën e gjashtë, që Ankaraja do të vazhdojë të mbajë lidhje me Moskën dhe Kievin, dhe se shteti i tij do të zbatojë traktatin ndërkombëtar që i kufizon qasjen anijeve luftarake ruse në ngushticat turke në Detin e Zi.

Më 28 shkurt, Erdogan ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës “është i papranueshëm” dhe se Turqia do të respektojë angazhimet që ka ndaj Aleancës, ndonëse nuk do të shpërfillë “interesat rajonale” në rajon.

Presidenti turk ka thënë se shteti i tij nuk do t’ia kthejë shpinën asnjërit shtet.

Ankaraja ka lidhje të ngushta me Rusinë në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes, mirëpo Ukrainës i ka shitur dronë dhe ka nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim.

Lukashenka ka mbështetur sulmin e presidentit rus, Vladimir Putin ndaj Ukrainës dhe ka thënë se trupat bjelloruse do të marrin pjesë në fushatën ushtarake ruse – nëse është e nevojshme.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG