Mastercard bllokon transaksionet nga Rusia
Mastercard ka thënë se ka bllokuar transaksionet nga Rusia si rezultat i sanksioneve që i janë vënë këtij shteti pas pushtimit të Ukrainës.
Ky lajm vjen teksa Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja kanë thënë se do të marrin veprime kundër Rusisë duke ua pamundësuar bankave ruse pagesat në sistemin Swift dhe do ta pengojnë qasjen e bankës qendrore ruse në rezervat e huaja, ashtu që ta vërejë barrën e sanksioneve.
Shikojeni këtë video për të kuptuar më shumë çfarë është sistemi Swift.
Australia do t’i dërgojë Ukrainës armë në vlerë të 50 milionë dollarëve
Australia do t’i ndihmojë Ukrainës me mbështetje ushtarake në vlerë të 70 milionë dollarëve australianë.
Kryeministri, Scott Morrison ka thënë të martën se këto para do të ndahen për ndihmë vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse.
“Po flasim për raketa, municion, po flasim për mbështetjen e atyre teksa mbrojnë tokën e vet në Ukrainë”, ka thënë ai.
Ai nuk ka dhënë më shumë hollësi, duke thënë se nuk dëshiron ta informojë më tepër Rusinë.
Morrison ka thënë se Qeveria e tij do të ndajë edhe 35 milionë dollarë australianë për ndihma humanitare në Ukrainë.
Senatori amerikan: Më e keqja nuk është parë ende
Ligjvënësit amerikanë kanë pranuar informacione të klasifikuara rreth situatës në Ukrainë nga zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe ata të inteligjencës.
Është raportuar se në mesin e të dhënave ka pasur afate kohore të mundshme për rënien e Kievit dhe qyteteve tjera ukrainase.
“Më e keqja ende nuk është parë ushtarakisht”, ka thënë senatori republikan, Lindsey Graham, pasi ka dalë nga takimi.
Një ligjvënës ka thënë për rrjetin amerikan, CNN – në kushte anonimiteti – se afatet kohore që janë prezantuar kanë qenë “alarmuese”.
Senatori demokrat, Chris Murphy, ka thënë në Twitter se “lufta për Kievin do të jetë e gjatë dhe e përgjakshme”.
Murphy ka thënë se kombet e Perëndimit jo vetëm që do të ngrijnë, por edhe do të konfiskojnë asetet e presidentit rus, Vladimir Putin dhe oligarkëve më të mëdhenj, çka sipas tij mund të jetë një hap më tutje se që ka parashikuar Putin.
Rreth 350,000 refugjatë kanë hyrë në Poloni nga Ukraina
Rreth 350,000 mijë persona kanë hyrë në Poloni nga Ukraina prej kur Rusia ka pushtuar këtë shtet”, ka thënë zëvendësministri i Brendshëm polak, Maciej Wasik.
“Në 24 orët e fundit, 100,000 persona kanë hyrë në kufirin mes Polonisë dhe Ukrainës”, ka thënë Wasik për transmetuesin publik, Polskie Radio 1.
“Në total, nga dita e enjte kanë qenë 350,000 refugjatë”.