Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
05:33 1.3.2022

Konvoji rus i drejtuar për në Kiev është 64 kilometra i gjatë

Një kolonë me automjete ushtarake ruse e drejtuar për në Kiev vlerësohet të jetë 64 kilometra e gjatë, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve UNIAN të martën herët duke cituar imazhe satelitore.

Karvani i tankeve dhe automjeteve të tjera ushtarake është edhe më i gjatë se sa mendohej më parë.

Ai shtrihet nga Aeroporti Hostomel në Kievin veriperëndimor deri në fshatin Prybirsk, i cili ndodhet midis Kievit dhe Çernobilit.

Ndërkohë, porti jugor ukrainas i Mariupolit është përsëri nën kontrollin ukrainas, tha më 1 mars shërbimi shtetëror i informacionit të vendit.

06:07 1.3.2022

Kina fillon evakuimin e qytetarëve nga Ukraina

Kina ka nisur evakuimin e qytetarëve të saj nga Ukraina, raportoi media shtetërore të martën.

Rreth 600 studentë kinezë u evakuuan të hënën nga Kievi dhe qyteti Odessa, raportoi gazeta shtetërore, Global Times, duke cituar ambasadën kineze në kryeqytetin ukrainas.

Kina ka thënë se rreth 6,000 qytetarë të saj janë të vendosur në Ukrainë për punë dhe studime.

Ambasada e saj në Kiev fillimisht u kërkoi atyre që planifikonin të largoheshin ta vendosin qartë një flamur kinez në automjetet e tyre.

07:01 1.3.2022

Mirëmëngjesi të gjithëve!

Në Kiev ora tani është 08:01.

Analistët e luftës në Institutin për Studime të Luftës - me bazë në Shtetet e Bashkuara - kanë publikuar të dhënat e fundit për luftën në Ukrainë.

Në ditën e gjashtë, analistët kanë thënë se vërehet një qetësi e lehtë teksa Rusia riorganizon fushatën kundër mbrojtjes ukrainase, e cila duket se ka qenë më e fuqishme sesa që ka pritur Moska.

Ata i kanë parë kështu disa nga luftimert në qytetet më të mëdha:

  • Kiev: Mbrojtja ukrainase ka qenë e fuqishme deri më tani. Aktualisht, aktiviteti rus është i kufizuar meqë forcat janë në pritje të përforcimeve. Analistët besojnë se ato do të rikthejnë sulmet me fuqi më të madhe në orët në vijim.
  • Harkiv: Sulmet ruse janë shtuar në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës në 48 orët e fundit. Forcat ruse janë duke përdorur raketa dhe armë tjera në këtë qytet. Si rezultat është raportuar për viktima civile dhe dëme të pronave. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se dhjetëra persona kanë vdekur në atë qytet.
  • Ukraina jugore: Përparimi rus është ngadalësuar në ditët e fundit, në krahasim me ditët e para, kanë thënë analistët.

Arsye mund të jetë që Rusia është koncentruar që të nisë sulme “vendimtare” në qytetet si Mariupol në lindje apo edhe në Zaporizhia.

07:09 1.3.2022

Të paktën 70 ushtarë ukrainas të vdekur në Okehtirka

Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se të paktën 70 ushtarë janë vrarë në sulmet ajrore të Rusisë në bazat e Ukrainës të dielën.

Sulmi është kryer në Okehtirka të rajonit Sumi, i cili aktualisht është nën rrethim nga forcat ruse.

Të hënën, ekipet e emergjencës kanë tentuar të gjejnë ndonjë të mbijetuar nën rrënoja.

Parlamenti ukrainas ka nderuar ushtarët në një postim në Twitter.

“Lavdi e përjetshme për heronjtë e Ukrainës”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG