Ndërlidhjet

Khamenei s’e pranon thirrjen për t’u dorëzuar, paralajmëron “dëme të pariparueshme” nëse SHBA-ja përfshihet


Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

Lideri suprem i Iranit, ajatollah Ali Khamenei, i hodhi poshtë të mërkurën thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar përballë bombardimeve nga Izraeli dhe paralajmëroi se SHBA-ja do të pësojë “dëme të pariparueshme” nëse përfshihet ushtarakisht.

Deklaratat e Khameneit u lexuan nga një spikere në televizionin shtetëror iranian.

Khamenei – i cili është parë vetëm një herë prej se filluan sulmet javën e kaluar – i bëri këto komente pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërkoi nga Irani të “dorëzohet pakushte” dhe e paralajmëroi Khamenein se SHBA-ja e di ku ndodhet ai, por nuk ka plane ta vrasë, “tani për tani”.

Trump fillimisht u distancua nga sulmi i papritur i Izraelit të premten, i cili e shkaktoi konfliktin, por ditët e fundit ka lënë të kuptohet se mund të ketë përfshirje më të madhe amerikane, duke thënë se dëshiron "diçka shumë më të madhe" sesa thjesht një armëpushim.

SHBA-ja gjithashtu ka dërguar më shumë avionë ushtarakë dhe luftanije në Lindjen e Mesme.

“Kombi iranian nuk dorëzohet”

Khamenei i hodhi poshtë deklaratat “kërcënuese dhe absurde” të Trumpit.

"Njerëzit e mençur që e njohin Iranin, popullin e tij dhe historinë e tij, kurrë nuk i flasin këtij kombi me gjuhën e kërcënimit, sepse kombi iranian nuk është ai që dorëzohet", tha Khamenei.

"Amerikanët duhet ta dinë se çdo përfshirje ushtarake nga SHBA-ja do të shkaktojë pa dyshim dëme të pariparueshme për ta", shtoi ai.

Televizioni shtetëror tha se do ta transmetojë më vonë një video ku Khamenei shihet duke e dhënë fjalimin e tij. Irani ka vepruar njëlloj edhe më parë kur ka lëshuar deklarata nga lideri suprem, ndoshta për arsye sigurie. Vendndodhja e Khameneit nuk dihet.

Një zyrtar iranian më herët të mërkurën paralajmëroi se ndërhyrja e SHBA-së do të rrezikonte “luftë të gjithanshme”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, nuk dha hollësi, por mijëra trupa amerikane janë të vendosura në vende përreth që janë brenda rrezes së armëve iraniane.

SHBA-ja ka kërcënuar me përgjigje të fuqishme ndaj çdo sulmi.

Një zyrtar tjetër iranian tha se vendi do ta vazhdojë pasurimin e uraniumit për qëllime paqësore, duke lënë të kuptohet se kërkesat e Trumpit që Irani të heqë dorë nga programi bërthamor janë të papranueshme.

Izraeli i nisi bombardimet ndaj Iranit të premten e kaluar dhe të mërkurën ushtria izraelite tha se ka kryer gjithashtu sulme në Iranin perëndimor, duke goditur depo raketore dhe një raketahedhës të mbushur.

Izraeli i ka goditur disa objekte bërthamore dhe ushtarake, duke vrarë gjeneralë të lartë dhe shkencëtarë bërthamorë.

Një grup për të drejta e njeriut me seli në Uashington tha se të paktën 585 njerëz, përfshirë 239 civilë, janë vrarë dhe mbi 1.300 janë plagosur në Iran.

Irani i ka lëshuar rreth 400 raketa dhe qindra dronë në sulme hakmarrëse ndaj Izraelit, duke i vrarë të paktën 24 njerëz dhe duke plagosur qindra të tjerë.

Disa raketa kanë goditur ndërtesa banimi në Izraelin qendror, duke shkaktuar dëme të mëdha, dhe sirenat e sulmeve ajrore i kanë detyruar izraelitët të strehohen disa herë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG