Ndërlidhjet

James Rubin duke dëshmuar në Hagë, më 16 shtator 2025.
James Rubin duke dëshmuar në Hagë, më 16 shtator 2025.

Dita e dytë e dëshmisë së James Rubinit në Gjykatën Speciale në Hagë

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmoi të martën për mbrojtjen e ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, dhe do të kthehet nesër për ta vazhduar dëshminë.

• Rubin e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerët.

• Ai pohoi se SHBA-ja fillimisht e përshkruante UÇK-në si terroriste, para se të ndërronte mendim për të.

• Sipas Rubinit, ishte e qartë se Thaçi kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratime.

• Aktakuza ndaj Thaçit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.

15:40 16.9.2025

James Rubin: Hill bënte komente negative për Thaçin

James Rubin e vazhdoi dëshminë e tij duke thënë se Christopher Hill nuk ishte miqësor me Hashim Thaçin në Rambuje.

“E dija se Chris Hill do të jepte shpjegime negative për sjelljen e tij dhe do të bënte komente negative për Thaçin te delegacioni amerikan, dhe mund t’i bënte këto edhe për senatorin Bobe Dole”, tha Rubin.

I pyetur nga gjykatësi Christoph Barthe nga Gjermania nëse Thaçi po fshihej kur erdhi koha për ta nënshkruar marrëveshjen, Rubin theksoi: “Qëndrimi nuk do të ishte i shkreti Thaçi është fshehur, por Hill tha ‘pse nuk është këtu ai”, “pse bën ai sikur është një person i rëndësishëm”.

“Unë isha në dijeni që Hill kishte ndikim në këtë situatë, dhe do përpiqesha të thosha se ka arsye që nuk është këtu, ndoshta ka mbetur në bjeshkë, ndoshta është në rrezik”, tha Rubin.

Rubin tha se Thaçi i kishte thënë se i duhej të udhëtonte maleve sepse kishte fletarrestim për të nga Serbia në mars 1999.

Ai tha se nuk e kishte parë fletarrestimin por i besonte.

15:59 16.9.2025

Rubin: Thaçi u zotua para presidentit Clinton se nuk do të kishte hakmarrje

James Rubin dëshmoi për një telefonatë të Hashim Thaçit me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999, dhe se si Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar për vite të tera.

“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.

“Nuk do të merrnin hak gjatë kohës kur trupat serbe po largoheshin dhe NATO-ja do ta merrte përsipër situatën. Sigurisht që mund të kishte akte dhune në këto situata, por presidentit Clinton i kishte bërë shumë përshtypje kjo dhe këtë ma tha Berger”.

16:04 16.9.2025

Rubin: Ishte e qartë se Thaçi kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratime

James Rubin tha se Hashim Thaçi “nuk më ka thënë asnjëherë fjalë për fjalë se çfarë duhet të bënte apo se me kënd duhej të konsultohej”.

“Thaçin e njoha në Rambuje dhe ai nuk ishte i hapur me mua, e as unë më. Ai nuk më tregonte çfarë duhet të bënte dhe pse i bënte”, tha Rubin.

Ai theksoi se për të ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.

“Ai ishte shumë i mjegullt në gjuhën e tij, thoshte se duhej të konsultohej me komunitetin, me udhëheqësit, me popullin. Unë nënkuptova që [Adem] Demaçi ishte shumë i rëndësishëm, sepse ai kishte folur me Medeleine Albright dhe ishte ndër personat që nuk ishte në favor të Rambujesë. Fakti që duhej të konsultohej me të, sipas meje, ai përpiqe j që t’i përfshinte të gjithë në proces. Nuk e di a i kërkohej ta bënte këtë.”

Hashim Thaçi.
Hashim Thaçi.
16:28 16.9.2025

Roli i Demaçit...

James Rubin u pyet nga gjyqtari zviceran, Guénaël Mettraux, lidhur me rolin e Adem Demaçit brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe kundërshtimin e tij ndaj Marrëveshjes së Rambujesë. Rubin theksoi se ndikimi i Demaçit ishte ideologjik e jo ekzekutiv dhe se angazhimet e Shteteve të Bashkuara ishin ato që, në fund, i mundësuan Hashim Thaçit të kapërcente rezistencën e tij.

Rubin i tha gjykatës se nuk e kishte takuar apo komunikuar kurrë drejtpërdrejt me Demaçin dhe nuk kishte dijeni që ai të kishte lëshuar urdhra apo vendime si përfaqësues i UÇK-së. Ai e përshkroi Demaçin si figurë historike e simbolike, rëndësia e së cilës buronte nga qëndrimet e tij për pavarësinë, e jo nga ndonjë autoritet ekzekutiv. Rubin hodhi poshtë gjithashtu idenë se UÇK-ja funksiononte me një hierarki të qartë ushtarake.

Sipas Rubin, Demaçi njihej gjerësisht për kundërshtimin e tij të fortë ndaj Marrëveshjes së Rambujesë, veçanërisht pas bisedave që kishte zhvilluar me sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright.

Demaçi besonte se nënshkrimi i një marrëveshjeje të përkohshme pa përmendur qartë pavarësinë do të ishte një gabim strategjik për UÇK-në.

Rubin kujtoi se gjatë bisedimeve, Thaçi u përpoq ta bindte Demaçin gjatë një takimi në Slloveni, por nuk ia doli të ndryshonte qëndrimin e tij. Megjithatë, Thaçi vazhdoi dhe e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë në emër të UÇK-së, pavarësisht refuzimit të vazhdueshëm të Demaçit.

Sipas dëshmisë së Rubin, pika vendimtare erdhi nga garancitë që Thaçi mori drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara - prej tij vetë, nga sekretarja Albright dhe nga gjenerali i NATO-s, Wesley Clark.

Angazhimi ishte i qartë: nëse UÇK-ja do të nënshkruante dhe Serbia do të refuzonte, atëherë Uashingtoni do të udhëhiqte një fushatë ushtarake kundër forcave serbe.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG