Ndërlidhjet

James Rubin duke dëshmuar në Hagë, më 16 shtator 2025.
James Rubin duke dëshmuar në Hagë, më 16 shtator 2025.

Dita e dytë e dëshmisë së James Rubinit në Gjykatën Speciale në Hagë

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmoi të martën për mbrojtjen e ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, dhe do të kthehet nesër për ta vazhduar dëshminë.

• Rubin e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerët.

• Ai pohoi se SHBA-ja fillimisht e përshkruante UÇK-në si terroriste, para se të ndërronte mendim për të.

• Sipas Rubinit, ishte e qartë se Thaçi kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratime.

• Aktakuza ndaj Thaçit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.

17:11 16.9.2025

Rubin: Qeveria e përkohshme e Kosovës ishte vetëm aspiratë, jo realitet

Gjatë pyetjeve të gjyqtarit zviceran, Guénaël Mettraux, James Rubin dëshmoi se më 19 qershor 1999 tashmë ishte e qartë se Hashim Thaçi do të ishte ai që do ta nënshkruante në emër të UÇK-së.

Rubin tha se dokumenti që kishte parë në atë kohë dukej se ishte përgatitur për dikë tjetër, ndoshta për Agim Çekun, të cilin oficerët e NATO-s e quanin komandant të UÇK-së. Megjithatë, kur u vendos që Thaçi të ishte nënshkruesi, dokumenti u përshtat pa ndryshuar bllokun e firmës, i cili e përshkruante atë si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”.

I pyetur pse ishte përdorur ky titull, Rubin kujtoi se më parë kishte sugjeruar se kjo kishte për qëllim të tregonte kredenciale demokratike, si kontrolli civil mbi ushtrinë. Por, me reflektim, ai e quajti këtë një “anomali”, duke theksuar se UÇK-ja nuk ishte një strukturë ushtarake formale dhe shpesh paraqitej në mënyra që i përshtateshin vlerave perëndimore.

Rubin shtoi se në atë kohë nuk ekzistonte një “qeveri e përkohshme” funksionale e Kosovës, duke e përshkruar atë më shumë si aspiratë sesa realitet. Ai tha se nuk kishte dijeni që Çeku të raportonte para një organi të tillë.

Rubin tha se deklaratat publike të bëra në vitin 1999 nga figura të UÇK-së, përfshirë gjeneral Agim Çekun, lidhur me ndjekjen e urdhrave nga një “qeveri e përkohshme e Kosovës”, pasqyronin propagandë dhe aspirata, e jo realitet politik apo ushtarak.

Rubin tha se kishte dëgjuar Çekun të përmendte një Shtab të Përgjithshëm dhe vendime të një qeverie të përkohshme që do të konsideroheshin si urdhra për UÇK-në, por tha se këto deklarata i shihte si përpjekje për të krijuar imazhin e vlerave demokratike dhe të kontrollit civil mbi ushtrinë.

“Ata donin që bota të dëgjonte se ushtria po i përgjigjej një autoriteti civil”, tha Rubin, duke shtuar se kjo ishte e menduar për të tërhequr qeveritë perëndimore.

Ai theksoi se, sipas tij, në atë kohë nuk kishte një qeveri të përkohshme funksionale dhe as një Shtab të Përgjithshëm të organizuar. Përkundrazi, drejtuesit e UÇK-së ishin të shpërndarë në zona të ndryshme të një zone lufte. “Shpesh ata e ekzagjeronin për të krijuar përshtypjen se ishin më të organizuar sesa në të vërtetë, dhe për të treguar se përqafonin parimet demokratike”, tha Rubin, duke nënvizuar se këto paraqitje kishin për qëllim fitimin e mbështetjes ndërkombëtare.

17:23 16.9.2025

Përfundon dita e dytë e dëshmisë së James Rubin

Ka përfunduar dita e dytë e dëshmisë së James Rubin në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Seanca do të vazhdojë edhe nesër, kur kryetari i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith III, do të ketë mundësinë të parashtrojë pyetje, nëse vendos ta bëjë këtë. Po ashtu, të drejtën për pyetje plotësuese e kanë edhe Prokuroria dhe mbrojtja.

17:39 16.9.2025

Dëshmia e ish-diplomatit të lartë amerikan, James Rubin, si dëshmitari i parë për mbrojtjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar për sot në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, për të vazhduar nesër për ditën e tretë radhazi.

Çfarë dëshmoi Rubin në ditën e dytë?

Ai e nisi dëshminë me përshtypjen fillestare të Shteteve të Bashkuara për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 1999, duke thënë ato kishin përshtypje më ndryshe.

Rubin tregoi se si fillimisht e përshkruanim atë si organizatë me aktivitete terroriste, duke shtuar se “ne, natyrisht, me gjithë dëshirën që kishim të ishim në anën e engjëjve, nuk donim të mbështesnim njerëz që zhvillonin aktivitete terroriste".

"Ky qëndrim ndryshoi, sidomos pasi UÇK-ja u pajtua me Marrëveshjen e Rambujesë", u shpreh ai.

Rubin gjithashtu theksoi se organet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë.

I pyetur nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të OKB-së, ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së, Rubin tha se hezitoi t’i besonte raportit.

"Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport, sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh", ka thënë ai.

Në lidhje me autorin e shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit...

Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.

Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.

Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.

Ish-diplomati amerikan kishte kritika për Gjykatën Speciale.

Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson", tha Rubin.

Ai gjithashtu dëshmoi se nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK dhe se si SHBA-ja e konsideronte Thaçin si udhëheqës të caktuar nga vetë shqiptarët.

Rubin më pas zbuloi një bisedë telefonike mes Hashim Thaçit dhe presidentit të atëhershëm amerikan, Bill Clinton, në qershor 1999, dhe se si Thaçi ishte zotuar se do t’i respektonte pakicat ndonëse populli i tij ishte keqtrajtuar për vite të tera.

“Unë kam dëgjuar nga Sandy Berger, këshilltari për siguri i presidentit Clinton, sepse unë nuk kam folur drejtpërdrejt me presidentin. Ai i kishte thënë presidentit Clinton se, pavarësisht dhunës që kishin pësuar, nuk do të kundërpërgjigjeshin”, tha Rubin.

Gjithashtu, sipas Rubinit, ishte “e qartë” se Thaçi kishte “eprorë diku nga të cilët duhej të merrte miratimin”.

18:24 16.9.2025

Lexues të nderuar, me këtë video nga dëshmia e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në ditën e dytë të tij para Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, mbyllim edhe ne mbulimin e drejtpërdrejtë të kësaj ngjarjeje.

“Kjo nuk është drejtësi” - Rubin kritikon Specialen për paraburgim të gjatë të të akuzuarve
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:43 0:00

Faleminderit që na ndoqët!

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG