Rubin përballë pyetjeve të gjyqtarëve
James Rubin po vazhdon dëshminë e tij, duke iu përgjigjur pyetjeve të trupit gjykues.
Njëri nga gjykatësit e pyeti atë se nga e dinte që ishte krahu ushtarak i UÇK-së që merrte vendime – pasi Rubin, në ditën e parë të dëshmisë, kishte thënë, duke iu referuar Hashim Thaçit, se "unë kuptova se ai ishte më tepër figura publike e UÇK-së dhe nuk ishte ai në komandë të saj”.
Rubin tha se ky ishte perceptim i tij, këtë e kishte kuptuar vetë, jo se ia kishte thënë Thaçi se të tjerët në UÇK marrin vendime.
Rubin u përgjigj edhe për vendndodhjen e Thaçit gjatë bisedave telefonike me të në periudhën e luftës.
Sipas tij, Thaçi kryesisht ishte brenda Kosovës kur komunikonin.
“Më ka thënë se ishte në Kosovë, duke u fshehur të mos vritej”, tha Rubin.
Rubin thotë se e paralajmëroi Thaçin kundër hakmarrjes për krimet e Serbisë
Seanca në Dhomat e Specializuara, e cila transmetohet me vonesë 45-minutëshe, është ndërprerë për pushimin e drekës.
Paraprakisht, James Rubin pohoi se pas luftës i ka diskutuar me Hashim Thaçin akuzat për krime lufte gjoja të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe pakicave të tjera, në një takim në Kosovë në fund të pranverës së vitit 1999.
Ai tregoi se e kishte paralajmëruar Thaçin se nuk do të kishin mbështetjen e SHBA-së nëse do të hakmerreshin për krimet e Serbisë, të kryera në Kosovë.
“Hashim, ne kemi shkuar në betejë për ty, kemi luftuar për ty, kemi vënë besueshmërinë tonë në rrezik për këtë gjë, dhe ne do të dilnim shumë shumë keq nëse ju ua bëni tani serbëve atë që ata ua kanë bërë juve në mënyrë të tmerrshme", kujtoi Rubin t'i ketë thënë Thaçit.
Rubin tha se, për këtë, Thaçi e siguroi se "do të bënte gjithçka që ishte në përgjegjësinë e tij, që kjo të mos ndodhte”.
Ai shtoi se Thaçi i bëri me dije se akuzat për krime lufte janë pretendime të rrejshme.
Kur pritet të përfundojnë dëshmitë e mbrojtjes?
Paneli i gjyqtarëve i Dhomave të Specializuara parashikon që deri më 14 nëntor, ose një javë pas përfundimit të dëshmisë së fundit, të mbyllet rasti i mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së pritet të jetë gati për të dorëzuar shkresat përfundimtare të gjykimit deri më 22 dhjetor të këtij viti.
Gjatë konferencës së fundit statusore, mbrojtja e Thaçit deklaroi se do t’i nevojiteshin 35.5 orë për dëshminë e dëshmitarëve të saj.
Mbrojtja e Krasniqit njoftoi se dy dëshmitarë do të dëshmojnë personalisht në gjykatë, ndërsa dy të tjerët do të paraqesin dëshminë me shkrim, e cila tashmë u është dorëzuar prokurorëve.
Bazuar në këtë planifikim, gjykatësi vlerësoi se për përfundimin e dëshmive do të duhen rreth 35 ditë pune - me pesë orë dëshmi në ditë - duke parashikuar përfundimin e tyre në dhjetor.
Ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit njoftuan, ndërkohë, se nuk do të paraqesin dëshmi mbrojtëse.
Rifillon seanca
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, është kthyer në bankën e dëshmitarit për vazhdimin e dëshmisë së mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.
Transmetimi publik i seancës në Hagë po bëhet me 45 minuta vonesë.