Rifillon seanca
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, është kthyer në bankën e dëshmitarit për vazhdimin e dëshmisë së mbrojtjes për ish-eprorët e UÇK-së në Hagë.
Transmetimi publik i seancës në Hagë po bëhet me 45 minuta vonesë.
Rubin: Thaçin e konsideronim udhëheqës, e kishin caktuar vetë shqiptarët
James Rubin ka sqaruar edhe njëherë përshtypjet e tij për Hashim Thaçin në periudhën e Konferencës së Rambujesë.
Sipas Rubinit, Thaçi ishte personi kyç me të cilin ai duhej të punonte, në mënyrë që Marrëveshja të pranohej nga UÇK-ja.
“Ne mendonim se LDK-ja, Veton Surroi, ishin dakord për këtë, dhe ajo [sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright] më tha që duhej të punoja me të [Thaçin], sepse ishte personi i rëndësishëm, ishte personi kryesor që e kishin caktuar shqiptarët e Kosovës”, tha Rubin.
"Nëse doni e quajmë udhëheqës, nëse doni person të kontaktit", u shpreh ai.
Ai e përshkroi rolin e Thaçit në atë kohë si të një kryediplomati të Kosovës.
“Pra, unë atë e kam parë si ministër të Jashtëm, që pasqyronte pikëpamjet e ushtrisë së vet, të qeverisë së vet, që nënshkruante, pra ashtu si një ministër i Punëve të Jashtme”, shtoi Rubin.
Rubin: Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK
Ish-zyrtari i lartë i SHBA-së, James Rubin, ka folur për diskutimet në administratën amerikane të Bill Clintonit për armatosjen e UÇK-së.
Ai ka thënë se nuk kanë mundur t'iu thoshin luftëtarëve që "nuk ju japim armë, sepse ju nuk jeni të organizuar".
"Po bënim një gjykim sa i përket argumentit për armatosjen apo jo të UÇK-së".
"Dhe, ne kemi thënë se kjo nuk është ide e mirë, sipas nesh, sepse nuk ekziston një strukturë e mirëfilltë politike, ose nuk ka kontroll efektiv".
"Bëmë gjykimin tonë më të mirë, kemi bërë një vlerësim, duke marrë parasysh strukturën organizative të UÇK-së, duke marrë parasysh aspektin e kontrollit dhe komandës, që ne besonim që UÇK-ja nuk e kishte".
“Nuk kishte kontroll dhe komandë efektive në UÇK”, theksoi ai.
Deklaratat e Rubinit për punën e Speciales
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, u përgjigj me ‘Jo’ në pyetjen se a e di se për çfarë u themelua Gjykata Speciale.
Por, Rubin tha se e di se kjo gjykatë u themelua “me kërkesë të lidervë evropianë dhe amerikanë”.
Ai shtoi se e di për akuzat e ngritura nga Dick Marty në raportin e tij, ku akuzon Hashim Thaçin për trafikim organesh, por, sipas tij, këto akuza nuk përfunduan askund.
Më herët, Rubin rikonfirmoi disa deklarata të mëhershme të tij për Gjykatën Speciale.
"Ka dalë jashtë kontrolli... Krijuan një rast të pabazë. Po e shpikin ligjin...", ishte shprehur ai.