Ndërlidhjet

James Rubin duke dëshmuar në Hagë, më 16 shtator 2025.
James Rubin duke dëshmuar në Hagë, më 16 shtator 2025.

Dita e dytë e dëshmisë së James Rubinit në Gjykatën Speciale në Hagë

• Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dëshmoi të martën për mbrojtjen e ish-eprorëve të UÇK-së në Hagë, dhe do të kthehet nesër për ta vazhduar dëshminë.

• Rubin e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerët.

• Ai pohoi se SHBA-ja fillimisht e përshkruante UÇK-në si terroriste, para se të ndërronte mendim për të.

• Sipas Rubinit, ishte e qartë se Thaçi kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratime.

• Aktakuza ndaj Thaçit, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim - akuza që ata i kanë mohuar.

10:41 16.9.2025

Rubin: Organet e OKB-së shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, u pyet në Gjykatën Speciale nëse ishte në dijeni për një raport të vitit 1998 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku flitej për gjoja rrëmbimin e civilëve serbë, shqiptarë dhe romë, dhe të oficerëve të policisë serbe, nga njerëz që besohej se i përkisnin UÇK-së.

"Kam lexuar një raport të OKB-së për Kosovën, por kam qenë shumë skeptik për atë raport", është shprehur Rubin.

"Sepse, organet e OKB-së nuk e kanë përshkruar shumë mirë situatën shumë shpesh", ka thënë ai.

"Pra, kam qenë në dijeni të raportimit prej OKB-së, por jo domosdoshmërisht ka qenë i besueshëm raporti", ka shtuar Rubin.

James Rubin duke dhënë dëshminë.
James Rubin duke dhënë dëshminë.

Ai ka thënë se raportet e Kryqit të Kuq i konsideronte më të besueshme.

Më herët, Rubin pohoi se mund të jetë në dijeni të raporteve nga Departamenti amerikan i Shtetit, të cilat shkruanin se UÇK-ja ishte përgjegjëse për vrasje, ndalime, rrëmbime edhe të civilve shqiptarë.

Prokurori e pyeti për disa artikuj specifikë në gazetat e asaj kohe për vrasje dhe arrestime të disa individëve.

Megjithëse ai shtoi se nuk i kujtohen raste specifike që janë shkruar në raprote apo në mediat ndërkombëtare pas më shumë se 20 vjetësh.

I pyetur nëse kishte dëgjuar të thuhej se UÇK-ja po kryente krime, gjatë kohës që Rubin po përcillte konfliktin në Kosovë, ai tha se nëse do të kishte dëgjuar, do t’i mësonte, por shtoi se “disa gjëra u shfaqën pas luftës”.

11:13 16.9.2025

Rubin: Autori i shkrimit për vrasjen e rivalëve të Thaçit ka shkruar fjali të rreme

James Rubin u pyet për një artikull të gazetës The New York Times, të datës 25 qershor 1999, ku thuhej se komandantët e lartë të UÇK-së kanë kryer vrasje brenda radhëve të tyre.

Sipas artikullit të lexuar nga prokurori, Hashim Thaçi drejtoi fushatën e vrasjes së disa komandantëve. Akuzat për vrasje ishin bërë nga pjesëtarë të UÇK-së tek diplomatë amerikanë, të cilët gjoja thanë se kishin parë me sytë e tyre vrasjen e rivalëve të Thaçit.

Rubin tha se nuk i kujtohet ky artikull, por shtoi se ka dyshime për autorin e tij, Chris Hedges.

“Autori i këtij artikulli, në mënyrë të vazhdueshme, ka shkruar fjali që kanë qenë të rreme”, tha ai.

Hashim Thaçi (në mes), në sallën e gjyqit.
Hashim Thaçi (në mes), në sallën e gjyqit.
11:30 16.9.2025

Kritikat e Rubinit për Specialen

James Rubin tregoi arsyet pse ai ka refuzuar të jetë dëshmitar i Prokurorisë në rastin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke thënë se kjo ka të bëjë me pikëpamjet e tij për Gjykatën Speciale.

Ai e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

“Janë dorëzuar vullnetarisht dhe kanë bashkëpunuar me Prokurorinë, s’e kuptoj pse kanë qëndruar kaq gjatë në burg, kjo më shqetëson", tha ai.

Sipas Rubinit, kjo s’ka të bëjë me shtetin e së drejtës dhe, sipas tij, Madeleine Albright nuk ka pasur këtë në mendje kur ka formuar Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë.

“Kjo ka qenë e gabuar, kjo nuk është drejtësi”, shtoi ai.

"Mua kjo më është dukur si fajësim politik, për shkak se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës i UÇK-së".

11:49 16.9.2025

Seanca në Dhomat e Specializuara aktualisht është në një pushim 30-minutësh.

Kjo është një përmbledhje e asaj që tha James Rubin deri më tash:

  • E quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë
  • Tha se autori i një shkrimi për vrasjen e rivalëve të Thaçit ka shkruar fjali të rreme
  • Deklaroi se organet e OKB-së shpesh nuk e përshkruanin mirë situatën në Kosovë
  • Pohoi se SHBA-ja fillimisht e përshkruante UÇK-në si terroriste
  • Tha se nuk i kujtohej nëse Jakup Krasniqi e Kadri Veseli ishin pjesë e delegacionit në Rambuje

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG