Abonohuni falas në newsletter-in e REL-it...
Nis seanca në Hagë
Në Hagë ka nisur dita e tretë e dëshmisë së James Rubinit, dëshmitar i mbrojtjes të Hashim Thaçit.
Kreu i trupit gjykues, gjyqtari amerikan Charles Smith III, sot do të ketë mundësinë të parashtrojë pyetje, nëse vendos ta bëjë këtë. Po ashtu, të drejtën për pyetje plotësuese e kanë edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja.
Rubin: Donim që Thaçi të kthehej në një udhëheqës që e drejton kombin drejt lirisë
Gjykatësi nga Irlanda, Fergal Gaynor, ka nisur pyetjet e tij drejtuar James Rubinit. Ai lëshoi një pjesë të një dokumentari të vitit 2000 të publikuar nga BBC ku ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, i referohet Thaçit si lider.
Gjykatësi tha se dje Rubin deklaroi se Adem Demaçi ishte lider.
Rubin u përgjigj se Demaçi ishte një person me status të lartë në Kosovë, në lartësinë e Nelson Madelës. Por, ai korrigjoi gjykatësin sa i përket deklaratës së Albrightit.
“Unë mendoj që ajo ka zgjedhur me kujdes fjalët e saj. Ajo nuk tha lideri, por një prej liderëve. Dhe ka një dallim të madh. Ajo e krahasoi me Gary Adams. Një lider që e drejtoi kombin drejt lirisë”, tha Rubin.
“Ne donim që ai të kthehej një udhëheqës i një kombi, që me shpresë do të ishte i lirë. Po ju korrigjoj, ajo tha një drejtues të një grupi. Një drejtues i një delegacioni që ishte zgjedhur nga delegacioni shqiptar. Ai ishte një prej, kishte një pozicion udhëheqës. Edhe nëse ka thënë udhëheqës i delegacionit, kjo është e saktë”, shtoi Rubin.
Gjykatësi, po ashtu, e pyeti Rubinin nëse ishte në dijeni se Thaçi kishte kërcënuar anëtarë të delegacionit të Kosovës në Rambuje, që nuk ishin pjesë e UÇK-së, për mbështetjen e tyre për një marrëveshje [kur Thaçi ishte kundër saj], pasi paraprakisht, në një video të transmetuar, u shfaqën Veton Surroi dhe Dukagjin Gorani duke folur në një dokumentar.
"Kushdo që e nënshkruan atë, do ta trajtoj apo do ta konsideroj si armik - si armik të kombit", është shprehur Dukagjin Gorani në dokumentar, duke cituar Thaçin.
Rubin ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për kërcënime fizike.
“Ta ndajmë kërcënimin fizik, nga ai moral. Jo, nuk e kam ditur që ka pasur kërcënim fizik, por e di që ka pasur presion ideologjik pro ose kundër pavarësisë sepse kjo ishte kryesorja për lëvizjen gjatë luftës. Kështu që Albright e ka kërcënuar Thaçin, duke i thënë se nëse nuk nënshkruan, nëse i lë njerëzit e pambrojtur nga serbët... kam dëgjuar edhe se është kërcënuar edhe Demaçi”, tha Rubin.
Rubin: Komunikatat e UÇK-së ishin përpjekje për ta bërë më të rëndësishme UÇK-në
James Rubin ka vazhduar të dëshmojë se sipas tij Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk kishte strukturë të organizuar siç e kanë ushtritë.
Ai tha se kishte më shumë grupe, klane, por jo strukturë të mirëfilltë ushtarake.
“Me sa pashë unë nuk ka pasur batalione, brigada apo njësi në UÇK, nuk besoj se se ka pasur organizim nga pikëpamja ushtarake”, tha Rubin.
Ai mohoi të kishte dijeni se në UÇK kishte polici ushtarake.
“Unë e di që kishin uniforma, disa kishin disa jo. Ne nuk i konsideronim ata si komandantë apo shtab i përgjithshëm”.
Në lidhje me komunikatat e UÇK-së, Rubin tha se ka lexuar shumë prej tyre, por tha se i dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme sesa ishte.
“Për mua ishin thjesht manipulime”, shtoi ai.
“Kam lexuar shpesh komunikata [të UÇK], por më dukeshin si përpjekje për ta bërë UÇK-në më të rëndësishme se ç’ishte. Për mua ishin thjeshtë manipulime”, tha Rubin.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.