Hekuran Murati: Qëndrimet e partive të tjera rreth zgjedhjes së kryetarit s’kanë ndryshuar
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, njoftoi se nuk ka marrëveshje konsensuale për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga takimi mes kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, dhe përfaqësuesve të partive partitë parlamentare.
“Qëndrimet, më sa pamë nga konsultimi, ishin të njëjta”, tha Murati.
Ai tha se shpreson se do të ketë reflektim në minutat e pakta sa kanë mbetur deri në fillim të seancës.
Kadrijaj: Nuk ka konsensus
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka thënë se nuk ekziston konsensus mes partive politike për votimin e kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
“Pranuam propozimin [e kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari] që të ishim në takim, që të deklaronim që kjo nuk ishte e drejtë. Zoti Dehari nuk ka të drejtë më të thërrasë deputetët apo partitë politike në konsultim”, ka thënë ajo në hollin e Kuvendit.
“Është obligim i mazhorancës t’i sigurojë 61 votat për Albulena Haxhiun. Nuk është obligim i asnjë partie tjetër ta votojë këtë mazhorancë dhe ta votojë kryetarin e Kuvendit", është shprehur ajo.
“Pse e qesin Albulena Haxhiun përderisa nuk i sigurojnë 61 vota?”, ka thënë Kadrijaj, duke shtuar se “këto janë maskarada të Lëvizjes Vetëvendosje”.
Ajo ka thënë se Dehari duhet “ta thërrasë seancën dhe ta hedhë në votim – kjo është e gjithë puna e tij. Obligim për t’i siguruar votat i ka Qeveria”, ka pohuar ajo.
"Atë që po e përzien kjo parti [Lëvizja Vetëvendosje], zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit janë dy procedura të ndara. Nuk votohen në pako”, ka thënë Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së ka thënë se partia e saj "do t'i përgjigjet seancës plenare".
"Partia në pushtet duhet t’i sigurojë 61 vota... Nëse i kanë votat për Qeveri, pse s’i kanë për kryeparlamentar? Në këtë rast, bllokues, ta dinë qytetarët e Kosovës, është Lëvizja Vetëvendosje”, është shprehur ajo.
Fillon seanca konstituive
Ka filluar seanca konstituive, e ndërprerë katër herë gjatë ditëve të kaluara, në përpjekje për ta konstituar Kuvendin e Kosovës.
Kryesuesi i seancës Avni Dehari njoftoi se në sallë janë të pranishëm 115 deputetë.
Haxhiu dështon përsëri të zgjidhet kryetare e Kuvendit, seanca shtyhet për të premten
Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka dështuar të emërohet kryetare e Kuvendit të Kosovës, edhe pas përpjekjes së tretë.
Ajo i mori 57 vota për, katër më pak se 61 votat e nevojshme për emërimin e saj.
Kundër saj votuan 46 deputët, ndërsa abstenuan 3.
Edhe në dy përpjekjet e kaluara, Haxhiu kishte marrë vetëm 57 vota për.
Seanca është shtyrë për të premten e 25 prillit.