Krasniqi: LVV-ja ka vendosur ta mbajë peng shtetin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se është “për keqardhje” që për herë të pestë ka dështuar seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, teksa për herë të tretë nuk është votuar kandidatja e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Krasniqi ka thënë se “po rrëshqasim në një fazë që asnjëherë s’i ka ndodhur Republikës së Kosovës”.
“Lëvizja Vetëvendosje, së cilës i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit... ka vendosur ta mbajë peng shtetin, për shkak të tekeve të tyre, për një emër të përveçëm”, është shprehur ai.
“Nuk mund t’ua imponojnë emrin deputetëve të opozitës”, ka thënë Krasniqi.
“Mentaliteti arbitrar i marrjes së votës me zor nuk ka vend në një sistem demokratik”, ka pohuar ai.
Krasniqi ka thënë se LVV-ja tashmë e di që “dy kandidatë nga grupi i tyre parlamentar i marrin votat e mjaftueshme” për kryetar të Kuvendit.
Por, sipas tij, synimi i LVV-së është bllokada e Kuvendit.
Ai ka thënë se partia e tij do ta votonte “një kandidate ose kandidat që nuk ka histori të përçarjes”.
Hykmete Bajrami: LDK-ja s’është e gatshme për marrëveshje politike
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se partia e saj nuk është e gatshme për marrëveshje politike me partinë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, e cila nuk po arrin ta emërojë kryetarin e Kuvendit.
“Ne e kemi thënë disa herë se nuk jemi të gatshëm për marrëveshje politike. Kryetari i Kuvendit zgjidhet në dy forma, ose me marrëveshje politike ose duke e sjellë një kandidat, i cili do të ishte i pranueshëm”, tha Bajrami.
Ajo e përsëriti se LDK-ja nuk do ta votojë “asnjë kandidat” të LVV-së për shkak të “historisë së tyre”.
“E keni parë se edhe pas betimit si deputetë, atë vazhdojnë të dalin në zyre dhe i kanë marrë peng institucionet e Kosovës, që nënkupton këta e kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën”, shtoi Bajrami.
Se a duhet të japin dorëheqje anëtarët e Qeverisë pas përfundimit të mandatit mund të lexoni në tekstin më poshtë:
Haradinaj: Nëse LVV-së i duhen votat tona, duhet bashkëpunim
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij është e interesuar që të zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës.
“Më vjen keq që Lëvizja Vetëvendosje (LVV) s’po ka mirëkuptim për kalimin e kësaj situate”, është shprehur ai në hollin e Kuvendit, pasi kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme.
“Beteja politike nuk është zhvilluar asnjëherë për kryetar Kuvendi dhe për konstituim Kuvendi”, ka thënë Haradinaj.
“Qëndrimet tona sa i përket Qeverisë i dini, jemi për qeveri të opozitës”, ka shtuar ai.
Haradinaj ka thënë se “nëse LVV-ja gjen zgjidhje tjetër, të shohim si do të ec tutje”.
“Do të ishte në interesin e tyre ta prezantojnë një kandidaturë unifikuese, të kalojë ky bllokim”, ka deklaruar kreu i AAK-së.
Haradinaj ka thënë se përgjegjësia për dështimin e seancës për konstituimin e Kuvendit bie mbi LVV-në.
“Faji bie mbi atë që s’e ka shumicën e s’jep opsion bashkëpunimi. Nëse u duhen votat tona, duhet bashkëpunim”, është shprehur ai.
Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja, teksa ka thënë se “edhe për të shkuar në zgjedhje duhet dakordimi i opozitës”.
Mimoza Kusari-Lila: Haxhiu nuk mund të kontestohet
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Albulena Haxhiu i përmbush kushtet për të qenë kryetare e Kuvendit të Kosovës, duke i hedhur poshtë kundërshtimet e partive të tjera parlamentare.
Ajo tha se lehtësia me të cilën po kërkohet dhe vlerësohet mundësia e ndërrimit të kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje “është tërësisht e papranueshme”.
“Për të gjithë ata që e kritikojnë Albulena Haxhiun, ju them se ajo është gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit me 125 mijë vota. Pesha politike dhe legjitimiteti i zonjës Haxhiu për të qenë kryetare e Kuvendit është e pakontestueshme”, tha ajo.