Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë për të mos e certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Kjo parti është ankuar në Panelin Zgjedhor për Aneksa dhe Parashtresa lidhur me këtë vendim.
Kjo është hera e tretë që partia më e madhe e serbëve të Kosovës përballet me përpjekje për të mos ia lejuar pjesëmarrjen në zgjedhje qoftë parlamentare apo lokale këtë vit.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha në Facebook të mërkurën se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe “janë shkurtpamëse dhe përçarëse”.
Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë nënvizoi se “politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës”.
Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi se ndihet “i shqetësuar” për përpjekjen e fundit nga aktorët politikë për të mos e lejuar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore.
“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, tha Hargreaves në Facebook.
Ndërsa, Ambasada e Gjermanisë shprehu “keqardhjen për sjelljen penguese të disa anëtarëve” të KQZ-së.
“Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të aktorëve politikë”, shkroi ajo në Facebook.
Lista Serbe ankohet në PZAP
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, në një konferencë për media tha se kjo parti ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), dhe se pret që t’i kërkohet KQZ-së që ta certifikojë këtë parti për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Ellek theksoi se Lista Serbe i plotëson të gjitha kushtet për të marrë pjesë në zgjedhje dhe se sërish nuk është certifikuar për arsye krejtësisht politike.
“Çdo gjë që është serbe dhe që mendon me kokën e vet, për [kryeministrin në detyrë të Kosovës Albin] Kurtin është e papranueshme. Shumë thjesht, e shihni që anëtarët e tij [në KQZ] nuk duan të votojnë për diçka që është plotësisht legjitime, serbët kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre politikë legjitimë”, tha ai.
Ellek tha gjithashtu se në komunat me shumicë serbe është duke u kryer një “inxhiniering politik”, duke pretenduar se po manipulohet me listën e votuesve.
Lista Serbe është ankuar edhe për listën e votuesve dhe përbërjen e këshillave të vendvotimeve edhe para zgjedhjeve lokale, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka hedhur poshtë akuzat e tyre.
Lista e votuesve, siç u përgjigj KQZ-ja në shtator, është e rregulluar me ligj dhe aktet nënligjore, ndërsa përbërja e këshillave të vendvotimeve përcaktohet mbi bazën e një formule të bazuar në parimin e gjithëpërfshirjes.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e KQZ-së?
Gjatë një mbledhjeje të martën pasdite, anëtarët e KQZ-së nuk e certifikuan Listën Serbe, e cila është partia më e madhe e serbëve të Kosovës, dhe, njëkohësisht, është e vetmja që e gëzon mbështetjen e Beogradit.
Rekomandimi për certifikimin e saj i mori vetëm 2 vota për, ndërsa 2 anëtarë votuan kundër dhe 7 abstenuan.
Në 3 minuta
Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër.
Kurteshi tha gjatë mbledhjes se “e kam thënë gjithmonë se kjo parti punon kundër interesave të Kosovës”.
Anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ, nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, abstenuan nga votimi.
Ambasada amerikane paralajmëroi gjithashtu se vendime të tilla do të ndikojnë në marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën, përfshirë Dialogun e pezulluar Strategjik.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të kenë mundësi t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, duke përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare”, tha ajo.
SHBA-ja e pezulloi në shtator nisjen e Dialogut Strategjike, duke e arsyetuar këtë me veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të cilat, sipas saj, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”.
Më herët, vendimi i komisionit u kritikua edhe nga Serbia dhe nga Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kosovë (OSBE), i cili tha se është "i zhgënjyer dhe i shqetësuar thellësisht".
OSBE-ja theksoi se është "seriozisht e shqetësuar për rritjen e polarizimit politik brenda KQZ-së, i cili reflektohet në sjelljen gjatë votimit që duket se udhëhiqet nga interesa partiake, e jo nga kritere ligjore dhe parime demokratike".
"Sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë që janë thelbësore për një organ të pavarur të administrimit të zgjedhjeve", tha ajo.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, e cilësoi si "plotësisht të papranueshëm" vendimin e KQZ-së.
“Kjo tregon jo vetëm mungesën e kapaciteteve demokratike, por edhe një qëndrim plotësisht të papranueshëm ndaj një tërë komuniteti kombëtar”, tha Gjuriq në Uashington në një bisedë me gazetarë nga Serbia.
Kreu i diplomacisë së Serbisë shtoi se shpresën se, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, ky vendim do të rishikohet, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme.
Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.
Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme këtë muaj sepse partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk arriti në dy përpjekje ta marrë mbështetjen e Kuvendit për një mandat të ri.
Ajo i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, por 48 ulëse në Kuvend ishin të pamjaftueshme për të qeverisur e vetme dhe ajo nuk gjeti një partner për të formuar qoftë edhe një qeveri të pakicës prej 61 ulësesh në Kuvend.