Protestuesit e mbledhur kritikojnë Listën Serbe
Qytetarët e mbledhur afër shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut – pas zhurmës së sirenave, që kanë zgjatur më shumë se një orë – të revoltuar, kanë kërkuar që t’iu drejtohet dikush prej Listës Serbe.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Pasi kanë nisur fjalë ofenduese kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Listës Serbe, ata kanë shkuar afër objektit ku jeton Aleksandar Spiriq nga Lista Serbe, dhe kanë kërkuar të flasin me të.
Ndërkohë, turmës i është drejtuar Nebojsha Joviq, nga “Lëvizja për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”.
Ai ka thënë se Lista Serbe nuk mund ta përfaqësojë më popullin serb në Kosovë.
Diçka e tillë është duartrokitur nga të pranishmit.
Më pas, turma ka nisur të shpërndahet.
Qetësohet situata në veri të Mitrovicës
Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se situata është qetësuar në veri të Mitrovicës.
Protestuesit janë larguar prej zonës afër shkollës teknike, kurse është zvogëluar edhe prania policore në Lagjjen e Boshnjakëve.
Arrestimi i Millenkoviqit dhe heshtja e Prokurorisë për "listën" e Kurtit
Millun Millenkoviq u arrestua pasditen e 13 qershorit nën dyshimet se ka organizuar sulme kundër ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, në Zveçan - komunë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Në një seancë të Kuvendit të Kosovës, më 2 qershor, kryeministri i vendit, Albin Kurti, përmendi emrat e disa personave, që, siç tha, bartin përgjegjësi për organizim dhe shkaktim të dhunës në veri, por jo edhe atë të Millenkoviqit.
Kurti, ndërkohë, kritikoi Prokurorinë e vendit për “mosveprim”, por ajo nuk e komentoi listën e tij me emra.
Artikulli i plotë:
BE për planin e Kurtit: Nuk kemi parë hapa vendimtarë dhe të menjëhershëm
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka pranuar një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që përmban planin e tij pesëpikësh për uljen e tensioneve në veri, por blloku evropian aktualisht tha se konsideron që kryeministri kosovar “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur”.
Zëdhënësi i BE-s, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se në Bruksel se po vazhdojnë të shqyrtohen masat e mundshme ndaj Kosovës, nëse ndërkohë nuk merren hapat e duhur.
“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha Stano.
Lajmi i plotë: