Ambasada britanike për planin e Kurtit: Të ndërmerren hapa për shtensionim të situatës
Ambasada britanike në Prishtinë tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka dërguar QUINT-it planin e tij për shtensionimin e situatës në veri, megjithatë gjatë takimit më 13 qershor, ambasadorët kanë diskutuar për këtë plan.
“Qartazi, zgjedhjet e reja lokale, ku do të merrte pjesë edhe popullata serbe e Kosovës, janë një zgjidhje e mundshme. Megjithatë, qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar vazhdon të jetë se fillimisht duhet të ndërmerren hapa për të shtensionuar menjëherë situatën, posaçërisht duhet të largohen njësitë speciale të policisë nga ndërtesat e komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe se kryetarët e këtyre komunave të vazhdojnë punën e tyre nga lokacione alternative”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada britanike në pyetjen lidhur me qëndrimin e tyre për planin e prezantuar nga Kurti.
Lajmi i plotë:
BE përgatit pako sanksionesh ndaj Kosovës
Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike.
Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Tashmë është suspenduar takimi i një nën-komisioni, atij për tregti, industri, doganë dhe taksa i cili është dashur të mbahej me 8 qershor, por që nuk është zhvilluar. Takimi i radhës, i cili pritet të suspendohet, është ai i datave 21 dhe 22 qershor, i nën-komisionit për drejtësi, liri dhe siguri.
Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.
Lajmi i plotë:
DASH sërish u bën thirrje palëve që të ulin tensionet në veri të Kosovës
Departamenti amerikan i Shtetit tha se vazhdon t’iu bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ua kanë bërë të qartë pritjet tona të dyja palëve. Këto diskutime po vazhdojnë”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i DASH-it në pyetjen se si Uashingtoni e komenton planin pesëpikësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për uljen e tensioneve në veri.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Vuçiq bisedon me senatorët amerikanë për situatën në veri të Kosovës
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, lidhur me situatën në Kosovë.
Senatorët amerikanë, sipas një njoftimi të Presidencës serbe, i kërkuan Serbisë vetëpërmbajtje dhe bën thirrje për paqe.
“Murpy, Shaheen dhe Ricketts i thanë presidentit Vuçiq se ata kërkojnë vetëpërmbajtje nga Serbia dhe thirrje për paqe sepse kjo është në interesin më të mirë të të gjithëve në Ballkanin Perëndimor”, u tha në njoftimin e Presidencës serbe.
Ndërkaq, presidenti serb tha se shteti i tij po "bën gjithçka për të ruajtur paqen, por populli serb në Kosovë i është ekspozuar torturës dhe ndjekjes më të keqe në 15 vjetët e fundit”.