Leposaviqi me tavolinë nënshkrimi për protestuesit
Edhe në Leposaviq, sikurse në Zveçan dhe Zubin Potok, janë mbledhur disa protestues para ndërtesës komunale.
Ekipi i Radios Evropa e Lirë raporton se në krye të protestës gjendet një tavolinë me listën e nënshkrimeve.
Protestuesit duhet ta firmosin dokumentin, për ta konfirmuar pjesëmarrjen në protestë.
Zvogëlohet numri i protestuesve në Zveçan
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se është zvogëluar numri i protestuesve në këtë qytet.
Ata shihen të ulur, në grupe, nën çadra.
Kurti diskuton me diplomatë të huaj për situatën në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar të hënën për situatën në veri me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, dhe zëvendësambasadorin gjerman në Kosovë, Matthias Conrad.
Sipas kryeministrisë, palët kanë biseduar për rëndësinë e uljes së tensioneve në veri, si dhe për punën e Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të KFOR-it, në garantim të sigurisë në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
“Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe fer para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, është thënë në komunikatë.
KFOR-i heq disa tela gjemborë në Zveçan
Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kanë hequr një pjesë të telave gjemborë që i ka vendosur ditë më parë, për të rritur sigurinë.
Telat gjemborë janë parë, një ditë pas përleshjes që ka ndodhur mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it.
NATO-ja dhe diplomatë vendorë e të huaj i kanë dënuar sulmet në instancat më të larta.