Situatë e qetë në komunat në veri
Policia e Kosovës ka thënë të dielën se situata në komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – aktualisht është e qetë.
“Monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë, si zakonisht po vazhdojnë në komunat veriore”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Edhe ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se numri i protestuesve serbë më 4 qershor është i vogël.
Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me republikën demokratike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të dielën transmetuesit britanik BBC, se, nuk mund të bëjë kompromis me republikën demokratike, dhe se ndërtesat komunale në tri komunat në veri – Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan – janë asete të Republikës së Kosovës.
Duke i komentuar tensionet e fundit në veri, Kurti ka thënë se Kosova mund ta zvogëlojë numrin e zyrtarëve policorë në ndërtesat komunale, nëse paraprakisht, ato, që ai i ka cilësuar banda - të financuara nga Beogradi - të shkojnë “ose në Serbi, ose në burgje”.
“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”.
Hollësitë shtesë i gjeni në linkun më poshtë:
Escobar: Tensionet në veri kanë qenë të shmangshme
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për BBC-në, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se përshkallëzimi i tensioneve në veri, ka qenë i shmangshëm.
“Ky përshkallëzim ka qenë pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar. Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”.
Escobar ka thënë se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë.
“Nuk ka pasur nevojë që të shkohet në ato ndërtesa. Ato nuk e kanë ndonjë vlerë reale. Ato janë kryesisht të thata tani. Kurti na ka siguruar që ata kryetarë do të ushtrojnë vetëm autoritetet administrativ, për të kryer shërbime bazike komunale”.
Escobar ka përsëritur se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim.
“Shumë pjesëtarë të komunitetit ndërkombëtar janë duke e parë këtë situatë si përbalje në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por na duhet ta kujtojmë se këtu ekziston edhe një dështim për arritur pajtim etnik brenda Kosovës. Ne i kemi inkurajuar të dyja palët që të angazhohen në dialog”.
Escobar, bashkë me të dërguarin evropian për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, më 5 dhe 6 qershor.
Më 30 maj, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se si pasojë e moskoordinimit të Qeverisë së Kosovës me SHBA-në, për veprimet në veri, Prishtina është përjashtuar nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit, Defender Europe 2023.
Turqia nis trupat e saj në Kosovë për të përforcuar KFOR-in
Ministria turke e Mbrojtjes ka konfirmuar të dielën, nisjen e një numri të ushtarëve turq në Kosovë, si përforcim për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Përmes disa pamjeve të publikuara në Twitter, autoritetet turke kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.
Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.
Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.