Të nderuar lexues,
Këtu po e përmbyllim raportimin për ngjarjet në veri.
Do të rikthehemi në mëngjesin e së hënës.
Faleminderit që jeni me ne!
Mirëmëngjesi të nderuar lexues,
Do të raportojmë edhe sot në kohë reale për zhvillimet në veri të Kosovës.
Qëndroni me ne!
Situatë e qetë në veri
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në Zveçan raporton se afër ndërtesës së kësaj komune shihet një numër i vogël protestuesish, në krahasim me ditët paraprake.
Serbët lokalë janë duke mbajtur atje protesta rregullisht, prej 29 majit.
Disa burime të REL-it kanë thënë se është bërë thirrje për një protestë masive në paraditen e së hënës në Zveçan, por deri më tani atje nuk vërehet fluks i madh protestuesish.
Escobar dhe Lajçak për vizitë në Kosovë e Serbi
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd, më 5 dhe 6 qershor.
Zyra e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka thënë se takimi mes tij dhe diplomatëve të huaj do të nisë në orën 20:00 në ndërtesën e Qeverisë.
Një ditë më parë, Escobar ka thënë për BBC-në se tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të shmangshme, dhe u ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të marrë hapa drejt uljes të tensioneve.
Në mesin e kërkesave të përmendura për Qeverinë e Kosovës ka qenë që kryetarët e rinj shqiptarë të mos shkojnë në ndërtesat komunale, dhe që të tërhiqen forcat e Policisë së Kosovës nga ato ndërtesa.