Ndërlidhjet

A mund të shkelin kompanitë amerikane sanksionet ndaj Rusisë?


Kur mijëra tifozë kanë mbushur arenën Hartwall të Helsinkit javën e kaluar, për të dëgjuar bendin amerikan Nine Inch Nails, ata sigurisht se nuk kanë menduar për industrialistët rusë që zotërojnë sallën.

Me siguri as organizatorët e koncertit, të cilët është dashur të llogarisin faktin se tre pronarët e arenës – bashkëpunëtorë miliarderë të presidentit rus, Vladimir Putin – janë goditur me sanksione nga Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të krizës në Ukrainë.

Shumë kompani dhe ndërmarrje amerikane, duke vazhduar me punën e tyre, mund të shkelin pa dashje sanksionet e SHBA-së. Ato shpesh e gjejnë veten duke hyrë në një fushë të minuar ligjore, pasi faktorizojnë pronarët e bizneseve ruse.

“Ky është një shqetësim i madh”, thotë Serena Moe, eksperte për sanksione pranë zyrës ligjore Wiley Rein, në Uashington.

Zinxhiri kompleks i pronësisë dhe kontrollit që përshkon ekonominë ruse, është duke shkaktuar ankthe te bizneset amerikane në një varg sektorësh, përfshirë energjinë dhe bankat, thonë avokatët e sanksioneve në Uashington, të cilët kanë folur për Radion Evropa e Lirë.

Cortney O'Toole Morgan, avokate në Husch Blackwell, thotë se firma e saj ka pranuar tri ose katër thirrje nga kompanitë e shqetësuara për strukturat e pronësisë ruse.

“Ato bëjnë përpjekje të kuptojnë nëse mund të vazhdojnë dhe nga ku vijnë financimet”, shpjegon Morgan.

Deri më tash, Shtetet e Bashkuara kanë sanksioniar zyrtarë të lartë rusë dhe biznesmenë të pasur, të cilët janë të afërt me Putinin, si dhe disa kompani.

Por, pasuria dhe ndikimi i individëve të sanksionuar ka bërë që bizneset në SHBA të ekzaminojnë lidhjet e tyre në vend.

“Klientët e mij nuk bëjnë transaksione me Vladimir Yakuninin. Ata bëjnë transaksione me subjektet në të cilat ai mund të ketë interes”, thotë Richard Matheny, partner në formën ligjore Goodwin Procter, i cili është kontaktuar nga dhjetëra klientë në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë.

Yakunin, udhëheqës me ndikim i Hekurudhave Ruse, është në mesin e 45 individëve dhe 19 firmave që administrata Obama ka sanksionuar me ngrirje asetesh dhe bllokim vizash, për shkak të aneksimit të Krimesë nga Moska.

Kur një individ futet në listën e sanksioneve amerikane, ai bëhet automatikisht i paligjshëm për shtetasit dhe bizneset amerikane që duan të angazhohen në transaksione me entitete, në të cilat ai individ ka aksione prej 50 për qind ose më shumë.

Nëse aksionet e individit janë më pak se 50 për qind, shtetasit dhe kompanitë amerikane mund të bëjnë biznes me të.

Departamenti i Thesarit, megjithatë, ka autoritetin të sanksionojë subjektet për të cilat konsideron se kontrollohen nga individë të sanksionuar, edhe nëse ata nuk zotërojnë zyrtarisht 50 për qind të aksioneve.(v.tela)

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG