Ndërlidhjet

Një Maji: Protesta gjetkë nëpër botë


Pamje nga Athina
Pamje nga Athina
Mijëra njerëz, të zemëruar me shembjen fatale të fabrikës në Bangladesh, janë tubuar në protesta anembanë vendit.

Zyrtarët thonë se mbi 400 njerëz janë vrarë dhe mbi 2,500 të tjerë janë plagosur nga incidenti që ka ndodhur javën e kaluar në rrethinat e Dakas.

Protestat, në Ditën Ndërkombëtare të Punës, kanë bërë thirrje për mbrojtjen e punëtorëve dhe ndëshkimin e pronarëve të fabrikës së shembur.

Udhëheqësi i punëtorëve, Amirul Hoq, ka folur për agjencinë Reuters nga protesta kryesore në Daka.

“Po fetsojmë këtë 1 Maj me trishtim, sepse, vetëm pak ditë më parë, nga shembja e ndërtesës, ne kemi humbur 400 punëtorë. Disa nga pronarët tashmë janë arrestuar, por ne kërkojmë që të tjerët dhe të gjithë ata që janë përgjegjës, të arrestohen dhe të ndëshkohen”, ka thënë Hoq.

Bashkimi Evropian ka thënë se është duke shqyrtuar “masat e duhura” për të inkurajuar përmirësimin e kushteve të punës në fabrikat e Bangladeshit, duke përfshirë ngrirjen e disa përfitemeve tregtare që Bangladeshi gëzon me BE-në.

Bashkimi Evropian është partneri më i madh tregtar i Bangladeshit.

Protesta për 1 Majin janë mbajtur edhe në pjesë të tjera të Azisë. Punëtorët në Indonezi, Kamboxhia, Filipine dhe gjetkë kanë protestuar në numër të madh, duke kërkuar kushte më të mira pune.

Në Evropë, greva 24-orëshe në Greqi, kundër masave të kursimit, ka ndërprerë transportin publik në gjithë vendin.

Qindra njerëz janë mbledhur jashtë parlamentit në Athinë, duke valëvitur flamuj dhe parulla të ndryshme.

Marina Tsiapili, një greke e papunë, ka përshkruar kushtet, në të cilat jeton bashkë me familjen e saj.

“Marr vetëm 420 euro nga benefitet e papunësisë dhe vetëm fatura e energjisë elektrike është 400 euro, sepse nuk kemi para për të blerë naftë për ngrohje. Nëse unë nuk luftoj për fëmijët dhe nipërit e mi, asgjë nuk do të ndryshojë”, është shprehur Tsiapili.

Statistikat e Bashkimit Evropian, të bëra publike të martën, kanë treguar se Greqia ka arritur nivele të reja rekorde të papunësisë, me 27.2 për qind të banorëve të papunë.

Në Stamboll, policia turke është përleshur me protestuesit, pasi autoritetet kanë penguar tubimet tradicionale të 1 Majit në qendër të qytetit.

Zyrtarët thonë se 20 protestues janë arrestuar, ndërsa disa të tjerë janë lënduar.
Sipas të dhënave të policisë ruse, rreth 70,000 njerëz janë tubuar në paradën e sindikatave në Moskë, e cila është mbështetur edhe nga partia Rusia e Bashkuar.(v.tela)

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG