Ndërlidhjet

Mbretëresha Beatrix dorëzon fronin


Mbretëresha Beatrix
Mbretëresha Beatrix
Mbretëresha Beatrix e Holandës i ka dorëzuar fronin djalit të saj, princit Willem-Alexander.

Mbretëresha, 75 vjeçe, ka nënshkruar dorëheqjen në Amsterdam, pas 33 vjetësh në shërbim.

Në deklaratën e nënshkruar thuhet: “Unë tërhiqem nga Zyra e Mbretëreshës së Holandës dhe monarkia do t’i transferohet djalit tim të madh, Willem-Alexander”.

“Kam dhënë dorëheqje nga froni. Jam e lumtur t’ju prezantoj juve mbretin e ri, mbretin Willem-Alexander”, ka thënë Betarix.

Willem-Alexander është bërë tani mbreti i parë i vendit qysh në vitin 1890. Ai ka falënderuar nënën e tij, duke thënë se publiku holandez dhe njerëzit jashtë territoreve të Holandës janë shumë mirënjohës ndaj saj.

“E dashura nënë, ju dhatë dorëheqjen nga monarkia pas tridhjetere vjetësh të admirueshëm dhe frymëzues, për të cilët ne jemi shumë, shumë mirënjohës”, ka thënë mbreti i ri.

Rreth 1 milion njerëz, të veshur me portokalli, janë mbledhur në Amsterdam për të nderuar mbretëreshën. Ajo ka bërë publike dorëheqjen qysh në muajin janar, duke thënë se djali i saj është gati të mbretërojë dhe se është kohë që froni të mbahet nga një brez i ri.

Beatrix është përshëndetur me kombin të hënën, në një adresim televiziv. Ajo e ka falënderuar popullin holandez për dashurinë e tij.

“Në prag të largimit tim, dua të shfrytëzoj këtë mundësi që t’ju drejtohem të gjithë juve. Në prag të dorëzimit të detyrave të mia si mbretëreshë, jam e mbushur me një ndjenjë mirënjohjeje të thellë. Pa zemërngrohtësinë tuaj dhe inkurajimin tuaj, barra e zyrës do të ishte shumë e rëndë. Teksa ju them lamtumirë, dua t’ju bëj me dije se dashuria juaj më ka dhënë forcën që më është dashur. Edhe në të ardhmen, afërisa juaj e vazhdueshme do të mbetet një mbështetje e madhe”, ka thënë Beatrix, tani princeshë.

Pas Luftës së Dytë Botërore, është bërë traditë për monarkun holandez që të japë dorëheqje.

Nëna e Beatrixit, Juliana, ka dorëzuar fronin më 1980, kur ka mbushur 71 vjet. Gjyshja, mbretëresha Wilhemina, ka hequr dorë më 1948, në moshën 68-vjeçare.

Sipas ligjit holandez, monarku ka pak kompetenca dhe roli i tij konsiderohet ceremonial.

Ai duhet të jetë politikisht i paanshëm, bashkënënshkrues i akteve të parlamentit, të ndihmojë në formimin e qeverive të reja, si dhe të bëjë dhe të presë vizita shtetërore.

Mbreti Willem-Alexander është bërë monark jo vetëm i Holandës, por edhe i territoreve të Karaibeve Holandeze, si Kurakao, Aruba dhe Seint Martin.(v.tela)

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG