Qëllimi i hershëm i Bashkimit Evropian – për të siguruar paqe në një kontinent të ngopur me luftëra – është demonstruar edhe një herë të hënën. Marrëveshja e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është miratuar nga Serbia dhe Kosova, shkruan gazeta amerikane “Christian Science Monitor”.
Sipas saj, marrëveshja pushon njërën nga luftërat më të egra të viteve 1990 dhe, me shpresë, të fundit në Evropë.
Me paktin historik midis ish-armiqve, Serbia pranon autoritetin ligjor për ish-krahinën e saj, ndërsa Kosova i garanton autonomi të gjerë pakicës së saj serbe, shkruan gazeta.
Për botën, kjo tregon se paqja është e mundur kur çështjet, të tilla si mosmarrëveshjet për territorin, ndasitë etnike dhe frikën fetare, minimizohen përmes negociatave, në favor të idealeve universale dhe prosperitetit të përbashkët, që përfaqëson BE-ja.
Ky leksion është jashtëzakonisht i nevojshëm tani në vendet si Siria, Gadishulli Korean, Kaukazi Verior, Kongo, Birmania dhe në ujërat e kontestuar të Azisë Lindore.
Gazeta shkruan se joshja me integrimin evropian ka ndihmuar dy vendet e Ballkanit që të bëjnë kompromise të vështira për sovranitetin dhe ndarjen e pushtetit.
Ato tani duhet të bëjnë reforma të brendshme për të përmbushur standardet e BE-së, në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Pakti u ofron atyre mundësinë që të shërojnë plagët e së kaluarës, shkruan gazeta, duke cituar kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por, pakti shërben edhe si një leksion tjetër. Ai është rezultati përfundimtar i ndërhyrjes së armatosur të Perëndimit për të parandaluar gjenocidin në Kosovë më 1999, ngjashëm me suksesin e tij në Libi më 2011. Njëmbëdhjetë javët e bombardimit të Serbisë kanë ndihmuar fundin e sundimit të Sllobodan Millosheviqit.
Parandalimi i masakrave në Kosovë ka shënuar një moment të rëndësishëm në vendosmërinë e botës për të mos injoruar krimet masive. Ai leksion i ndërhyrjes humanitare do të duhej të mësohej pas përgjigjes së dobët globale ndaj gjenocidit në Ruandë më 1994 dhe vrasjes së 8,000 djemve dhe burrave boshnjakë në Srebrenicë më 1995.
Në vitin 2005, kujton gazeta, një samit botëror i Kombeve të Bashkuara ka miratuar idenë e “përgjegjësisë për të mbrojtur” ose të ndërhyrjes kolektive në një shtet që përjeton shkallë të gjerë të vrasjeve.
“Christian Science Monitor” po ashtu shkruan se pjesa më e madhe e meritave për paktin Kosovë-Serbi i takon Catherine Ashtonit, shefes së politikës së jashtme të BE-së. Aftësitë e saj negociuese, ashtu si edhe besueshmëria e saj, kanë ndihmuar bisedimet të ecin në rrugë të duhur.
Dikur fuçi baroti në Evropë, Ballkani tani po shërben si një leksion pozitiv për pjesën tjetër të botës, shkruan “Christian Science Monitor”.