Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se Irani po bën “provokime alarmuese” në Lindjen e Mesme dhe se “ambiciet bërthamore” të tij janë kërcënim për sigurinë në botë. “Një Iran i pakontrolluar ka potencial për të udhëtuar në të njëjtën rrugë si Koreja e Veriut”, tha Tillerson, duke kritikuar fuqishëm marrëveshjen bërthamore me Republikën Islamike.
Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur me retorikë të nxehtë si nga Koreja e Veriut, ashtu edhe nga SHBA-ja. Phenjani kërcënon me raketa bërthamore që mund të arrijnë caqe në gjithë botën. Shtëpia e Bardhë bën thirrje edhe për pak durim, pasi nënpresidenti Mike Pence tha se Koreja e Veriut nuk duhet të vë në provë fuqinë e forcave të armatosura të SHBA-së.
Më poshtë mund të shikoni disa prej fotografive më interesante të përzgjedhura nga Radio Evropa e Lirë për këtë javë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, priti në Shtëpinë e Bardhë sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Trump tha se NATO nuk është më organizatë e vjetruar dhe se ajo po lufton terrorizmin. Trump përsëriti se SHBA ka barrë të padrejtë të shpenzimeve dhe se aleatët duhet të kontribuojnë më shumë në mbrojtje.
Në Itali janë mbledhur ministrat e Jashtëm të Grupit të Vendeve më të Industrializuara, të njohur si G7. Në agjendën e bisedimeve ëshë çështja e konfliktit sirian.
Aleatët vazhdojnë t’i mbështesin Shtetet e Bashkuara, derisa Uashingtoni ka shprehur përkushtim për ta vazhduar presionin kundër Sirisë, pas sulmeve raketore në këtë vend të përfshirë nga lufta, derisa Rusia ka vazhduar ta dënojë operacionin.
Shfaq më shumë