Qëllohet për vdekje në sallën e gjyqit një gjyqtar në Shqipëri

Gjyqtari Astrit Kalaja kishte shërbyer në sistemin e drejtësisë në Shqipëri për 18 vjet.

Një gjyqtar në Shqipëri është qëlluar për vdekje me armë zjarri gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Tiranë.

Mediat në Shqipëri e kanë identifikuar gjyqtarin e vrarë si Astrit Kalaja.

Policia në Shqipëri tha se i dyshuari, E.Sh., 30 vjeç ishte palë në proces dhe dyshohet se shtiu drejt gjyqtarit.

Nga kjo ngjarje mbetën të plagosur edhe R.K., 65 vjeç dhe E.K. 45 vjeç, babë e bir, të cilët ishin pala tjetër në proces.

Sipas autoriteteve, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.

“Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, u tha në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar se rasti gjyqësor kishte të bënte me mosmarrëveshje pronësore dhe se i dyshuari shtiu drejt gjyqtarit pasi e dinte që do ta humbiste rastin në gjykatë.

Sipas, Top Channel gjyqtari i vrarë Kalaja në shtatë vjetët e fundit kishte ushtruar detyrën e anëtarit të Gjykatës së Apelit, ndërkaq në total kishte shërbyer për 18 vjet në sistemin e drejtësisë.

Në kuadër të procesit të vetting-ut të kryer në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ai ishte rikonfirmuar në detyrën e gjyqtarit në dhjetor të vitit 2019.

Vetting-u, apo procesi i verifikimit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, nisi në Shqipëri në fund të vitit 2016, pas miratimit të ndryshimeve ligjore.

Përmes këtij procesi u bë vlerësimi i gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë, duke u bazuar në integritetin, pastërtinë e figurës së tyre dhe aftësive profesionale.

Procesi synonte ta pastronte sistemin nga individë të përfshirë në korrupsion, që kishin lidhje kriminale apo kishin mangësi profesionale.

Procesi i Vetting-ut në Shqipëri përfundoi në fund të vitit 2024.

Krerët shtetërorë dënojnë ngjarjen

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, e dënoi vrasjen e gjyqtarit Kalaja, duke e cilësuar si sulm ndaj sistemit të drejtësisë.

“Ky sulm i tmerrshëm ndaj gjyqtarit të shquar, por edhe ndaj drejtësisë si të tillë, duhet të përballet nga gjithë shoqëria me përbuzjen dhe mospajtimin më të thellë, sepse ky akt është atentat makabër ndaj vetë sistemit, tek i cili ka themelet bashkëjetesa dhe paqja sociale”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ky këtë akt, që e cilësoi si agresion kriminal mbi gjykatësin, kërkon përgjigje më ekstreme ligjore ndaj të dyshuarit.

“Por, kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje e punonjësve të sigurisë nga administrata e gjykatës, duke përjashtuar çdo përfshirje të Policisë së Shtetit - në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, tha Rama përmes një postimi në X.

Sipas tij, kjo ngjarje paraqet argument të fuqishëm për të mbështetur ashpërsimin në Kodin Penal për dënimet për armëmbajtje pa leje.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, po ashtu reagoi për këtë rast, duke e cilësuar si “sulm ndaj çdo shërbyesi të së drejtës, institucioneve dhe shoqërisë shqiptare”.

“Vrasja e gjyqtarit Kalaja në krye të detyrës është një akt kriminal që meriton ndëshkimin më të ashpër me të gjithë forcën e ligjit. Ne nuk do të lejojmë që sulme si ky dhe i asnjë forme tjetër të cenojnë besimin e publikut te drejtësia e as të errësojnë përpjekjet tona të vijueshme për forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, tha ai.

Kreu i dikasterit të drejtësisë tha se ka nevojë për rishikim të sistemit të sigurisë brenda gjykatave, sikurse kryeministri shqiptar Rama, kërkoi ashpërsimin e dënimeve për armëmbajtje pa leje në Kodin e ri Penal – për të cilin kanë nisur konsultimet publike – pasi, sipas tij, “armëmbajtja pa leje si vepër penale nuk do të trajtohet më siç është trajtuar deri më sot”.

“Siguria e njerëzve të drejtësisë është një vijë e kuqe që askush nuk duhet ta kalojë. Asnjë akt kriminal si ky i sotmi nuk do të mundet kurrë të frikësojë drejtësinë e as misionin e magjistratëve. Ministria e Drejtësisë qëndron në krah të institucioneve të drejtësisë”, shkroi Lamallari në Facebook.

Për posedim të armëve pa leje në Shqipëri, ligjet parashohin dënim deri në 3 vjet burgim.

Sipas të dhënave nga Qendra për Ballkanin Juglindor dhe Evropën Lindore për Kontrollin e Armëve të Vogla (SEESAC), në Shqipëri janë regjistruar 213 incidente me armë zjarri nga janari deri në qershor të vitit 2025.