Apeli pezullon vendimin për rinisjen e punës së VOA

Dyert e mbyllura në ndërtesën e Zërit të Amerikës në Uashington. 16 mars 2025.

Gjykata e Apelit në Uashington më 3 maj miratoi pezullimin e vendimit të shkallës së parë në rastin që përfshin gazetarët e Zërit të Amerikës (VOA), duke bllokuar përkohësisht urdhrin që kërkonte rikthimin e tyre në punë dhe vazhdimin e financimit për transmetuesit ndërkombëtar, të financuar nga Shtetet e Bashkuara.

Më herët gjatë ditës, organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij dhe një gazetar i VOA thanë se Departamenti amerikan i Drejtësisë kishte njoftuar se kjo media mund të riniste punën javën e ardhshme.

Këshilltarja e lartë e administratës së presidentit, Donald Trump, për Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM) – që mbikëqyrë Zërin e Amerikës –, Kari Lake, e quajti vendimin e Apelit, “fitore të madhe” për administratën amerikane.

VOA, që është transmetues i financuar nga shteti amerikan, ka audiencë ndërkombëtare dhe është mbyllur që kur Trump urdhëroi Agjencinë e SHBA-së për Media Globale (USAGM), që mbikëqyrë VOA dhe transmetues të tjerë – përfshirë Radion Evropa e Lirë –dhe gjashtë agjenci të tjera federale që të ulnin në minimumin e kërkuar nga ligji punën e tyre.

“Një avokat i Departamentit të Drejtësisë i ka dërguar një email avokatit tonë, David Seide, për ta informuar që USAGM pret që stafi i VOA të mund të nisë ‘rikthimin me faza’ në punë dhe transmetimi të rinisë javën e ardhshme”, tha më herët gjatë së shtunës, gazetari i VOA, Steve Herman në një postim në X.

SHIKONI EDHE: Gjykata urdhëron ndaljen e shuarjes së Zërit të Amerikës

Organizata joqeveritare Reporterët pa Kufij tha se avokatët e tyre, së bashku me ata të Zërit të Amerikës, ishin njoftuar nga Departamenti i Drejtësisë se punëtorët e transmetuesit do të lejoheshin që të ktheheshin në punë.

Më 21 mars, VOA ngriti padi ndaj administratës Trump, duke argumentuar se lëvizjet e administratës për mbylljen e transmetuesit ishin të paligjshme.

SHIKONI EDHE: VOA padit mbikëqyrësin USAGM me qëllim që të rinisë punën pas urdhrit të Trumpit

Më pas, USAGM dërgoi në pushim më shumë se 1.000 punonjës dhe ndërpreu kontratat me rreth 600 bashkëpunëtorë, duke e detyruar VOA, që për herë të parë që nga themelimi më 1942, të ndalë transmetimin.

Padi ndaj USAGM ka ngritur edhe Radio Evropa e Lirë, për të “shmangur dëmin e pariparueshëm” ndaj transmetuesit për shkak të mbajtjes pezull të grantit – të miratuar nga Kongresi – si pjesë e përpjekjeve të USAGM-it për të ndërprerë financimin e REL-it.

Më 2 maj, Gjykata e Apelit në SHBA lëshoi një vendim për pezullimin e përkohshëm të vendimeve paraprake gjyqësore dhe duke lejuar administratën Trump që përkohësisht të ndalë financimin për REL-in dhe transmetuesit e tjerë.

Ky vendim, sipas gjykatësve të Apelit, u mor në mënyrë që të ketë mundësi të shqyrtohen kërkesat e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë në emër të USAGM.

Vendimi i Apelit erdhi disa ditë pasi një gjykatës federal urdhëroi USAGM-in t'i lëshojë REL-it fondet për muajin prill.

USAGM është agjenci e pavarur qeveritare që mbikëqyrë REL-in, Zërin e Amerikës dhe transmetues të tjerë të financuar nga SHBA-ja, që së bashku transmetojnë lajme dhe informacione në pothuajse 50 gjuhë për rreth 361 milionë persona në javë.