Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka zhvilluar një bisedë “përmbajtësore” me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë qëndrimit të saj në Shtetet e Bashkuara.
Osmani ka zhvilluar disa takime me zyrtarë të shteteve të ndryshme, përfshirë edhe zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
“Me sekretarin Rubio, një bisedë përmbajtësore mbrëmë në kuadër të pritjes së organizuar nga presidenti [amerikan, Donald] Trump”, shkroi Osmani në Facebook, pa dhënë detaje të tjera për këtë takim.
Takimi i Osmanit me Rubion vjen pasi më herët gjatë shtatorit raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan një goditje. Uashingtoni njoftoi më 12 shtator për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja pezullon dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën shkaku i veprimeve të QeverisëOsmani kishte shprehur “keqardhje dhe shqetësim të thellë” lidhur me vendimin e SHBA-së për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik.
Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja Osmani pati njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.
Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka hedhur poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
SHIKONI EDHE: Kurti: Nuk jemi prishur me Amerikën, por i kemi disa dallimeKurti, ndërkaq, deklaroi më 19 shtator se Qeveria në detyrë e Kosovës ka “disa” dallime në qëndrime me SHBA-në, por nguli këmbë se raportet mes dy vendeve nuk janë prishur.