Ukraina po punon për të rifilluar shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë, duke shpresuar për lirimin e 1.200 ukrainasve, thanë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe shefi i Këshillit të Sigurisë së tij.
“Ne ... po llogarisim në rifillimin e shkëmbimeve”, tha Zelensky në një video të postuar të dielën në aplikacionin e mesazheve Telegram. “Shumë takime, negociata dhe telefonata tani i janë kushtuar kësaj”.
Shefi i tij i sigurisë, Rustem Umerov, tha të shtunën se ai kishte zhvilluar konsultime në Turqi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me mbështetjen e partnerëve të Kievit, për të rifilluar procesin e shkëmbimeve.
“Si rezultat i këtyre negociatave, palët ranë dakord të rikthehen te marrëveshjet e Stambollit”, tha ai. “Kjo ka të bëjë me lirimin e 1.200 ukrainasve”, tha Umerov në një deklaratë në Telegram.
Nuk pati menjëherë asnjë koment nga Moska për deklaratat e Ukrainës.
SHIKONI EDHE: Adoleshentët ukrainas gjykohen si “terroristë” në RusiMarrëveshjet e Stambollit janë disa korniza për shkëmbime të ndërmjetësuara nga Turqia në vitin 2022, të cilat përcaktojnë rregullat për shkëmbime të mëdha dhe të koordinuara mes Rusisë dhe Ukrainës.
Që atëherë, të dyja palët kanë shkëmbyer mijëra të burgosur, megjithëse shkëmbimet kanë qenë sporadike dhe shpesh të ndërprera nga përshkallëzimi i vijës së frontit në luftën që Rusia nisi kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Umerov tha se konsultime do të zhvillohen në të ardhmen e afërt për të vendosur detajet procedurale dhe organizative të procesit.
“Ne po punojmë pa ndërprerje që ukrainasit që do të kthehen nga robëria të mund të festojnë Vitin e Ri dhe Krishtlindjet në shtëpi – në tryezën familjare dhe me të dashurit e tyre”, tha Umerov.