Qasja në llogarinë e kryebashkiakut të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në rrjetin social X në Turqi, është bllokuar pas një kërkese ligjore, sipas një njoftimi në llogarinë e tij në këtë platformë, të enjten.
Policia e arrestoi Imamoglun – i cili është rivali kryesor i presidentit Tayyip Erdogan – më 19 mars, duke nxitur protestat më të mëdha në Turqi në dekadën e fundit.
Ai u burgos katër ditë më vonë në pritje të gjykimit për akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon.
Partitë opozitare e kanë quajtur arrestimin e tij të politizuar dhe antidemokratik.
SHIKONI EDHE: A do të triumfojë Erdogani midis protestave gjithëkombëtare për arrestimin e rivalit?Llogaria e Imamoglut në X i ka gati 10 milionë ndjekës.
Avokati i njohur turk, Gonenc Gurkaynak, tha në X se, me kërkesë të platformës X, do ta bëjë një ankesë ndaj vendimit gjyqësor për bllokimin e qasjes në llogarinë e kryebashkiakut.
Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e vendimit për bllokimin e qasjes në llogarinë e tij në Turqi.
Ndërkohë, sondazhet tregojnë se mbështetja popullore për Imamoglun është rritur edhe më shumë që nga arrestimi i tij, duke forcuar bindjen se ai do të jetë rivali kryesor i Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat janë planifikuar për vitin 2028.