Shtatë të vrarë pasi Rusia sulmon një ndërtesë banimi në Ukrainë

Ndërtesa e banimit në Harkiv, që u godit nga sulmet ruse. 18 gusht 2025.

Një sulm rus me dronë në një ndërtesë pesëkatëshe banimi në qytetin ukrainas të Harkivit la të vrarë shtatë persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë, thanë autoritetet ukrainase më 18 gusht.

Sulmi, që ndodhi para agimit, e shkatërroi një pjesë të ndërtesës dhe shkaktoi zjarr në të paktën tri kate, tha guvernatori rajonal, Oleg Synegubov në Telegram.

Sipas tij, Rusia e kreu sulmin ndaj kësaj ndërtese me katër dronë.

Your browser doesn’t support HTML5

Sulmet ruse vrasin civilë ukrainas para takimit të rëndësishëm në Uashington

Shërbimi shtetëror i emergjencave në Ukrainë publikoi video të ekipeve të shpëtimit teksa ata tentonin të gjenin nën rrënoja njerëz.

“[Shtatë] persona janë vrarë, përfshirë një vajzë nëntë vjeç e gjysmë”, tha prokuroria në Ukrainë. “Të paktën 18 persona u plagosën, përfshirë fëmijë”.

Qyteti i Harkivit, që gjendet pranë kufirit me Rusinë, më herët u godit edhe nga një raketë balistike që la të plagosur të paktën 11 persona, tha kryetari i qytetit, Igor Terekhov.

SHIKONI EDHE: Zelensky kërkon garanci të sigurisë para takimit me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë

Rusia po ashtu sulmoi me dronë të hënën edhe rajonin jugor të Odesës, duke shkaktuar zjarr në një fabrikë karburantesh, tha guvernatori rajonal, Oleg Kiper.

Sulmet vijnë teksa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe aleatët e tij evropianë, pritet të zhvillojnë më vonë gjatë ditës bisedime në Uashington, bisedime që synojnë përfundimin e luftës që ka nisur mbi tre vjet e gjysmë më parë.