Sudani, vend në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën, njoftoi presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.
“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.
Njohja nga Sudani është e dyta brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit.
Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.
SHIKONI EDHE: Pse ka rëndësi njohja nga Kenia?Njohjet nga Kenia dhe Sudani vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021.
Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.
Serbia e dënoi vendimin e Kenias për ta njohur Kosovën dhe tha se ai mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me shtetin afrikan.
Një ekspert kishte paralajmëruar për Radion Evropa e Lirë në fund të marsit se njohja nga Kenia do të nxiste edhe shtete të tjera afrikane ta marrin të njëjtin vendim.
Gëzim Visoka, autor i librit "Çnjohja e shteteve", tha për REL-in më 29 mars se, nëse institucionet angazhohen, kjo mund të jetë një “pikë kthese në favor të Kosovës”.
“Njohja nga Kenia paraqet një mundësi të mirë për Qeverinë e Kosovës, por edhe për aktorët e tjerë të angazhuar, që të rikthejnë vrullin dhe të punojnë në mënyrë të qëndrueshme dhe strategjike për të përmbyllur procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës”, tha Visoka asokohe.
Sudani e njohu Kosovën rreth tri javë më vonë.
Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, parashikoi se Kosova duhet të synojë 10 deri në 12 njohje brenda vitit.
Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte shprehur druajtjen e tij se njohja nga Kenia mund të nxiste një trend të njohjeve të Kosovës.
Më shumë rreth Sudanit
Sudani është duke u përballur me krizën më të madhe humanitare në botë, si pasojë e një luftë pothuajse dyvjeçare.
Ai është bërë vendi i vetëm afrikan që po përjeton uri ekstreme, sipas Kombeve të Bashkuara.
Pothuajse 25 milionë njerëz - gjysma e popullsisë së Sudanit - përballen me uri ekstreme, ndërsa njerëzit po vdesin në zonat e goditura nga uria në Darfurin Perëndimor, sipas OKB-së.
Konflikti në Sudan nisi më 15 prill 2023, kur tensionet e kamotshme midis udhëheqësve ushtarakë dhe atyre paraushtarakë shpërthyen në kryeqytetin Kartum dhe u përhapën në rajone të tjera, përfshirë zonën e gjerë të Darfurit Perëndimor.
Prej atëherë, thuhet se të paktën 20.000 njerëz janë vrarë, megjithëse numri ka mundësi të jetë shumë më i lartë.
Në fund të muajit të kaluar, ushtria sudaneze e rimori kontrollin mbi Kartum, një fitore e rëndësishme simbolike në luftë. Por, grupi paraushtarak rival, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), vazhdon ta kontrollojë pjesën më të madhe të Darfurit dhe disa zona të tjera.