Prattipati: Jemi të zhgënjyer me veprimet dhe deklaratat e fundit të Kurtit

E ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Anu Prattipati. Fotografi nga arkivi.

Shkurtimisht

  • SHBA-ja ka thënë se është e "zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti"
  • Sipas Ambasadës amerikane, Kurti, me qëndrimet e tij, ka rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë
  • Së voni, Kurti ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në vendime gjatë mandatit të tij, si dhe e akuzuar gjykatën më të lartë të shtetit për njëanshmëri

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, të cilat, sipas saj, po rrisin “paqëndrueshmërinë në Kosovë”.

“Jemi të zhgënjyer nga veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti, të cilat kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë. Këto veprime minojnë procesin politik, dobësojnë institucionet e Kosovës dhe përkeqësojnë tensionet ndëretnike”, tha diplomatja amerikane në një përgjigje për Kohën.

Ajo paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara janë duke e shqyrtuar përgjigjen e tyre, “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”, tha Prattipati.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja pezullon dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë

Disa orë pas publikimit të kësaj deklarate, Amabasada amerikane në Prishtinë njoftoi për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të, siç u tha, veprimeve të Qeverisë në detyrë.

Së voni, Kurti, që njëherësh është edhe udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në vendime gjatë mandatit të tij si dhe e akuzuar gjykatën më të lartë të shtetit për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

Në 3 minuta

Çdo të enjte, zhvillimet më të rëndësishme përpiqemi t'jua zbërthejmë dhe t’jua sjellim sa më thjesht, shkurt e shqip. Regjistrohuni falas këtu për ta pranuar të parët në emailin tuaj çdo numër të newsletter-it tonë.

Kushtetuesja ka reaguar ndaj këtyre deklaratave të Kurtit dhe të nënkryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca, duke thënë se paanshmëria e saj janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe asnjë “institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj”.

Kushtetuesja aktualisht po e trajton një lëndë të dërguar nga Lista Serbe – partia kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – e cila kundërshton ndarjen e votimit për nënkryetarin e Kuvendit nga pakicat joserbe me atë nga komuniteti serb.

SHIKONI EDHE:

Kushtetuesja shpreh shqetësim për deklarimet “e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetërorë”Kurti kritikon Kushtetuesen teksa LVV-ja e propozon sërish për kryeministër

Gjykata ka vendosur një masë të përkohshme, që parandalon çdo veprim në Kuvend deri më 30 shtator si dhe çdo procedurë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Po ashtu, partia e Kurtit së voni ka bërë përpjekje, të pasuksesshme, për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Ndonëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve u votua për moscertifikimin e kësaj partie, instancat më larta, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Gjykata Supreme, e rrëzuan këtë vendim.

SHIKONI EDHE:

Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e LVV-së për Listën SerbePZAP urdhëron KQZ-në të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale

Pak para votimit në KQZ, Prattipati kishte shprehur shqetësim për çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale. Ajo këtë shqetësim e ngriti pas takimit që zhvilloi me Kurtin më 21 gusht.

LVV-ja kishte tentuar që t'ia pamundësonte Listës Serbe pjesëmarrjen edhe në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, por instancat më të larta rrëzuan vendimin për moscertifikim.