Shkurtimisht
- SHBA-ja ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, duke cituar rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë.
- Dialogu ishte planifikuar për t'i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e kryeministrit Albin Kurti janë parë si sfida për përparimin.
- Vendimi amerikan vjen në kohën kur autoritetet kosovare po kritikojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.
Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
Qeveria në detyrë i hodhi poshtë kritikat e SHBA-së, duke thënë se “veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur "keqardhje dhe shqetësim të thellë" lidhur me vendimin e Shteteve te Bashkuara për pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik.
Kosova dhe SHBA-ja pritej ta finalizonin marrëveshjen për dialogun strategjik këtë vit, pasi presidentja Osmani pati njoftuar në janar për arritjen e ujdisë mes dy vendeve.
SHIKONI EDHE: Osmani: Kosova dhe SHBA-ja do të finalizojnë marrëveshje për dialog strategjikAmbasada amerikane tha të premten se dialogu strategjik ishte menduar për t'i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij kosovar.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.
Ajo tha se SHBA-ja shpreson që këto përpjekje të vazhdojnë në të ardhmen, “kur kushtet të jenë të përshtatshme”.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike”.
Në një reagim në Facebook, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, tha se “ne jemi mirënjohjes” për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, dhe se “ne i mirëpresim edhe kritikat, [dhe] kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”.
Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë mëson se gjatë ditës, liderët e partive që në mandatin e kaluar ishin në opozitë, kanë mbajtur një takim në Ambasadën amerikane me të ngarkuarën me punë në këtë Ambasadën, Anu Prattipati.
Çfarë është dialogu strategjik?
Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.
Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.
Në rajon, vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një dialog të tillë strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 2 qershor 2022 në Uashington DC, dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, më 6 gusht paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të nisin dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.
SHBA-ja përfshihet në dialog strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me organizata ose lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizjademokratike bjelloruse e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.
Pse SHBA-ja vendosi ta pezullojë nisjen e këtij dialogu me Kosovën?
Pasojat për Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë në detyrë kohëve të fundit veçse u paralajmëruan të premten më herët, nga vetë Prattipati, e cila tha se Uashingtoni është i zhgënjyer me qëndrimet e kryeministrit në detyrë Kurti.
Ajo kishte thënë se SHBA-ja po e shqyrtonte përgjigjen e saj, duke shtuar “por më lejoni të jem e qartë, çdo veprim që dobëson stabilitetin politik dhe ekonomik është një sfidë serioze për partneritetin tonë”.
SHIKONI EDHE: Prattipati: Jemi të zhgënjyer me veprimet dhe deklaratat e fundit të KurtitDitëve të fundit, Kurti - i cili është njëkohësisht udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje - dhe zyrtarë të tjerë të partisë, përfshirë nënkryetarin Glauk Konjufca, e kanë kritikuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke thënë se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
"Ndërmjet mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VETËVENDOSJE!-s", kishte thënë Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së më 7 shtator.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme përmes së cilës ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime deri më 30 shtator, si dhe ua ndaloi zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata e vendosi këtë masë - që do të jetë në fuqi deri më 30 shtator - në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Kushtetuesja dhe bashkësia ndërkombëtare e kanë dënuar trysninë e Kurtit dhe partisë së tij ndaj gjykatës më të lartë të vendit.
SHIKONI EDHE: Kurti kritikon Kushtetuesen teksa LVV-ja e propozon sërish për kryeministërAnkesa e Listës Serbe në Kushtetuese erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.
Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.
Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.
Bashka e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë.
SHIKONI EDHE: Ambasada gjermane bën thirrje për përmbajtje nga sulmet ndaj Gjykatës Kushtetuese të KosovësPo ashtu, partia e Kurtit ka bërë përpjekje të pasuksesshme për t’ia ndaluar Listës Serbe pjesëmarrjen si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit dhe në ato lokale të 12 tetorit.
Pak para votimit në KQZ, Prattipati kishte shprehur shqetësim për çdo përpjekje për t’ua kufizuar partive serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale.
SHIKONI EDHE: Prattipati: SHBA, e shqetësuar nga çdo përpjekje për ta kufizuar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet lokaleReagimet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
"Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar", tha Osmani të premten.
Ajo shtoi se "çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot".
"Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes", tha Osmani.
SHIKONI EDHE: Osmani shpreh keqardhje për pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-nëEdhe dy partitë më të mëdha parlamentare në Kosovë pas Vetëvendosjes së Kurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thanë se ndihen të “shqetësuara” me pezullimin e dialogut të planifikuar strategjik Kosovë-SHBA.
PDK-ja tha se mbajti mbledhje për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë vendimin e Shteteve të Bashkuara.
“Partia Demokratike e Kosovës ka marrë me shqetësim të madh vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën, një proces i cili ishte menduar të forconte marrëdhëniet tona ekonomike, politike, diplomatike dhe të mbrojtjes”, tha PDK në një njoftim për media.
Ajo theksoi se ky zhvillim i “rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të Qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se suspendimi i dialogut të planifikuar strategjik paraqet “pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”.
“Shkatërruesit e shtetit, bllokuesit historik, shkelësit e Kushtetutës, ligjeve e normave morale njerëzore, kanë zgjedhur të ndërtojnë rrugëtimin e tyre mbi krizën e përhershme, mbi frikën e pashtershme dhe mbi fatkeqësinë e Republikës”, tha Abdixhiku.
Ai bëri thirrje për tu “bashkuar të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë - para se të bëhet vonë për të gjithë”.
Në anën tjetër, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi në Facebook në lidhje me këtë vendim se Kosova “po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet”.
“Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën”, shkroi ai.
Haradinaj th ase i fton “të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi”.