SHBA-ja po rindërton aerodromin ushtarak nga ku nisi sulmin bërthamor ndaj Hiroshimës
Kjo fotografi, që shfaq rindërtimin në ishullin Tinian, territor i SHBA-së në perëndim të Oqeanit Paqësor, u publikua nga Forcat Ajrore amerikane më 30 shtator.
Ushtria tha se statusi aktual i aerodromit historik North Field në Tinian “konsiderohet informacion konfidencial”, por dy banorë lokalë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë përmes telefonit kanë konfirmuar se puna për rindërtimin e bazës ajrore po vazhdon. “Ata ende janë duke e pastruar aerodromin”, tha një hotelier vendas në ishullin e vogël të Paqësorit më 6 nëntor.
Ushtria amerikane duke rindërtuar një rrugë në ishullin Tianian.
Rindërtimi i aerodromit North Field në Tianin është faza e fundit në rolin e madh që ka luajtur ky ishull i vogël në historinë ushtarake.
Marina amerikane pas arritjes në bazën ajrore japoneze në ishullin Tinian në korrik të vitit 1944.
Forcat amerikane e morën nën kontroll nga japonezët këtë ishull në gusht të vitit 1944, teksa SHBA-ja po avanconte në Paqësor drejt Japonisë gjatë fazës përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore.
Inxhinierët ushtarakë duke punuar në ishullin Tinian pas marrjes nga forcat amerikane në korrik të vitit 1944.
Ishulli ishte pikë kyç për stacionimin ushtarak të SHBA-së për shkak të vendndodhjes së tij, duke e vendosur Japoninë brenda rrezes së veprimit të bombarduesin strategjik më të ri amerikan, B-29.
Aerodromi në ishullin Tianian më 1945.
Pas marrjes së Tianianit, një fushatë masive e ndërtimit që përfshinte vendosjen e pistave me kilometra të gjata u ndërtuan nga koralet e thyera.
Bomba bërthamore e quajtur “Little Boy” (Djaloshi) duke u inspektuar pas montimit në ishullin Tinian në gusht të vitit 1945.
Për shkak të sekretit strikt, pjesë të armës së parë bërthamore që do të përdorej në betejë u dërguan veçmas dhe u transportuan me avion në Tianin në korrik të vitit 1945, ku bomba u montua.
Bomba “Little Boy” duke u vendosur në bordin e Enola Gay në ishullin Tinian.
Bomba e montuar u ngarkua në avionin B-29 Enola Gay, të emëruar sipas nënës së pilotit të tij, kolonelit Paul Tibbets më 5 gusht 1945, nga një podium special i ndërtuar në North Airfield. Avioni u nis drejt Japonisë mëngjesin e së nesërmes.
Pasojat e sulmit me bombë bërthamore në Hiroshimë.Bomba “Little Boy” goditi Hiroshimën me një fuqi shpërthyese, mjaftueshëm për të shkatërruar rreth 70 për qind të ndërtesave në qytetin me 345.000 banorë. Dhjetëra mijëra njerëz vdiqën menjëherë nga shpërthimi.
Një re në formë kërpudhe shihet mbi qiellin e Nagasakit pasi bomba e dytë bërthamore amerikane sulmoi Japoninë.
Pak pas sulmit në Nagasaki më 9 gusht, që u lëshua nga Tiniani, Japonia u dorëzua, duke e sjellë më afër përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Aerodromi North Field në Tinian e fotografuar në vitin 2017.
Në vitin 1947, North Field i Tinianit u braktis dhe gjatë dekadave të mëvonshme u bë xhungël.
Aerodromi në Tianian duke u rindërtuar nga inxhinierët ushtarakë që shihen në fotografinë e publikuar më 30 shtator.
Sot, për shkak të tensioneve midis SHBA-së dhe Kinës për kërcënimet e Pekinit ndaj Tajvanit, Tiniani është zgjedhur si një nga disa bazat ushtarake nga periudha e Luftës së Dytë Botërore që po rinovohet si pjesë e strategjisë së “shpërndarjes së forcave” në Paqësor.
Një raketë Dongfeng-26D gjatë paradës në Pekin të mbajtur në shtator.
Kina ka zhvilluar raketa, përfshirë Dongfeng-26 që ka kapacitet bërthamor, të cilat raportohet se mund të arrijnë deri në Guam, një tjetër ishull në Paqësor pranë Tinianit, ku Amerika ka baza të mëdha detare dhe ajrore. Një rrjet i shpërndarë i objekteve ushtarake do t’i mundësonte SHBA-së të transferonte fuqinë ajrore nëpër një sërë bazash.
Inxhinierët ushtarakë shihen duke rindërtuar infrastrukturën në Tinian në një foto të publikuar më 30 shtator.
“Ndërtimi i ri nuk është zgjidhja dhe është shumë i shtrenjtë”, tha lejtnanti Frank Blaz në një video të Forcave Ajrore duke përshkruar projektin në Tinian për rikonstruksionin e infrastrukturës nga Lufta e Dytë Botërore. “Riparimi dhe rehabilitimi i asaj që ekziston është një zgjidhje shumë më ekonomike”.
Një bombardues B-52 i Forcave Ajrore amerikane, i shoqëruar nga avionë luftarakë mbi ishullin Tinian në shkurt të vitit 2024.
Forcat Ajrore të SHBA-së thonë se rindërtimi i Tinianit do t’u japë atyre “pozicion të mirë” për të reaguar ndaj një sulmi, “në çdo kohë, kudo në Indo-Paqësor”. Rreth 409 milionë dollarë janë ndarë për projektin e rindërtimit.