Rusia dhe Ukraina këmbejnë të burgosur të luftës

Ukrainas që u liruan gjatë një këmbimi të të burgosurve më 23 korrik 2025.

Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer secili nga 84 të burgosur të luftës, thanë zyrtarët e të dyja shteteve.

Gjatë këtij viti, të dy shtetet kanë liruar qindra të burgosur të luftës.

Këmbimi i fundit vjen në prag të samitit të nivelit të lartë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, që do të mbahet në Alaskë më 15 gusht.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shkroi në Telegram se Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjetësuan këmbimin, duke shtuar se personeli ushtarak rus i liruar po “merr ndihmë psikologjike dhe mjekësore”.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale se në mesin e të burgosurve të këmbyer “ka edhe civilë dhe personel ushtarak”, disa nga të cilët “janë mbajtur nga rusët që nga viti 2014, 2016 dhe 2017”.

Ai tha se “mbrojtësit e Mariupolit” ishin po ashtu pjesë e këmbimit, duke iu referuar qytetit-port ukrainas që u mor nën kontroll nga forcat ruse më 2022, pas pothuajse tre muaj rrethim.

Zelensky shtoi se “do të ketë këmbime tjera” të të burgosurve.

SHIKONI EDHE: Ukraina dhe Rusia përfundojnë bisedimet në Stamboll, pajtohen për këmbim të të burgosurve

Këmbimet në shkallë të madhe të të burgosurve ishin rezultati i vetëm i prekshëm i tri rundeve të bisedimeve të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, të zhvilluara nga maji deri në korrik.

Në rundin e tyre më të fundit të bisedimeve, të mbajtur muajin e kaluar, Rusia dhe Ukraina ranë dakord të shkëmbenin nga 1.200 të burgosur lufte secila.

Një negociator rus tha se Moska gjithashtu kishte ofruar t’i dorëzonte Kievit trupat e 3.000 ushtarëve të vrarë.