Rezultatet preliminare: Ultranacionalisti rumun fiton rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale

George Simion gjatë votimit për rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura në Rumani.

Kandidati ultranacionalist rumun, George Simion, po prin në zgjedhjet presidenciale, sipas rezultateve preliminare.

Megjithatë, Simion nuk ka marrë mjaftueshëm vota që të shmangë rundin e balotazhit.

Votimet e 4 majit u mbajtën pothuajse gjashtë muaj pasi u anuluan rezultatet e rundit të parë të zgjedhjeve, mes akuzave për ndërhyrje të Rusisë në fushatën për zgjedhjet presidenciale.

Me rreth 89 për qind të votave të numëruara, Simion, 38 vjeç, udhëheqës i Aleancës për Unitetin e Rumunëve (AUR), ka fituar 40.2 për qind të votave ose 3.095.906 vota, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Rumani.

Crin Antonescu, përfaqësues i koalicionit qeverisës, është i dyti me 21.2 për qind (1.629.327 vota), ndërsa kryetari i Bukureshtit, Nicușor Dan, ka marrë 19.3 për qind (1.505.334 vota).

Rezultatet e tanishme nuk përfshijnë votat e diasporës – të cilat, disa ekspertë vlerësojnë se janë rreth 800.000 vota – as rezultatet nga disa zona brenda Rumanisë, që mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare.

Edhe sondazhet kanë sugjeruar një rezultat të ngjashëm, edhe pse në sondazhet e publikuara pas përfundimit të votimit, Simion kishte një epërsi më të vogël dhe Dan doli më mirë.

Votimet u përcollën me vëmendje edhe jashtë Rumanisë, pjesërisht për shkak të deklaratave kundërthënëse të Simionit, i cili ka pretenduar territore të Ukrainës dhe Moldavisë, si dhe ka vënë në pikëpyetje ndihmën ushtarake të Rumanisë për Ukrainën.

Ai gjithashtu ka kritikuar pushtimin rus të Ukrainës.

Nëntorin e vitit të kaluar, kandidati nacionalist prorus, Calin Georgescu, që nuk ishte favorit, kori një fitore befasuese në rundin e parë të zgjedhjeve.

Megjithatë, autoritetet anuluan rezultatet për zgjedhjet presidenciale mes akuzave për një fushatë ndikimi nga Rusia që synonte të forconte kandidaturën e tij. Georgescut iu ndalua të garojë në zgjedhjet e reja dhe për votimet e përsëritura të 4 majit autoritetet kanë vendosur një sërë rregullash të reja.

SHIKONI EDHE: Dhunë në Bukuresht pasi autoritetet ia ndalojnë pjesëmarrjen në zgjedhje kandidatit prorus

Anulimi i votimeve nxiti kritika jashtë Rumanisë, veçmas nga nënpresidenti amerikan, JD Vance, i cili gjatë një fjalimi në Konferencën për Sigurinë në Munih në shkurt, akuzoi autoritetet rumune se kishin vepruar “mbi dyshime të dobëta dhe nën presion të madh nga fqinjët kontinentalë”.

Simion ka përqafuar publikisht disa retorika të presidentit amerikan, Donald Trump, dhe lëvizjes së tij “Ta Bëjmë Amerikën Madhështore Sërish” (Make America Great Again- MAGA).

Në nëntor, ai publikoi një fotografi ku shfaqej me kapele të kuqe, simbolin karakterizues të Trumpit, me mbishkrimin “Trump Save America” (Trump shpëtoje Amerikën), dhe së fundi ka deklaruar se është “ideologjikisht plotësisht në linjë me lëvizjen MAGA”.

Më 24 prill, autoritetet zgjedhore njoftuan nisjen e një hetimi ndaj partisë politike të Simionit, pas akuzave se kishte shkelur rregullat për financimin e fushatës.

SHIKONI EDHE:

Kushtetuesja anulon zgjedhjet presidenciale në Rumani, pas akuzave për ndërhyrje ruseSHBA-ja kërkon hetim për ndërhyrjen "dashakeqe" të Rusisë në zgjedhjet në Rumani

Hetimi është përqendruar në akuzat se Simioni ka organizuar një pagesë prej 1.5 milionë dollarësh për një firmë lobuese në Shtetet e Bashkuara, me qëllim organizimin e takimeve në Uashington me figura të njohura mediatike që mbështesin Trumpin. Simion i ka mohuar akuzat.

Fushata zgjedhore tërhoqi vëzhgues ndërkombëtarë për të monitoruar procesin e votimit. Në një raport paraprak, vëzhguesit nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kritikuan disa prej procedurave të regjistrimit dhe të numërimit të votave në Rumani.

SHIKONI EDHE: Kandidati rumun i së djathtës ekstreme lejohet të garojë në zgjedhje

Administrata e Trumpit gjithashtu dërgoi një vëzhgues të vetin për zgjedhjet, i pavarur nga OSBE-ja: një zyrtar të lartë nga Komisioni Federal Zgjedhor i SHBA-së, institucioni që mbikëqyr zgjedhjet amerikane.

Ende mbetet e paqartë nëse Simion do të mund të sigurojë më shumë se 50 për qind të votave për të fituar që në raundin e parë. Nëse jo, atëherë rundi i balotazhit mes dy kandidatëve me më së shumti vota do të mbahet më 18 maj.

Shumica e vëzhguesve besojnë se Simioni do ta ketë të vështirë të fitojë në rundin e dytë, veçmas nëse Dan ose Antonescu arrijnë të sigurojnë një numër të konsiderueshëm votash.